RAJON & BOTA

Vulini deshi të fluturonte drejt Moskës, por e kthyen në Beograd: 7 orë vonesë për shkak të kontrolleve të sigurisë!

Avioni i kompanisë “Air Serbia”, në linjën Beograd–Moskë, u kthye në aeroportin e Beogradit për shkak të kontrolleve shtesë të sigurisë lidhur me një pasagjer. Sipas informacioneve jozyrtare të publikuara nga mediat serbe, bëhej fjalë për Aleksandar Vulin, i cili dyshohet se ishte futur në avion pa kaluar kontrollin e sigurisë.

Avioni, i cili më pas vazhdoi fluturimin drejt Moskës me të njëjtët pasagjerë, por me ekuipazh të ri, mbërriti në kryeqytetin rus me shtatë orë vonesë.
“Air Serbia” konfirmoi se kthimi në Beograd ndodhi pas një njoftimi nga shërbimet kompetente të aeroportit, të cilat kërkuan kontrolle shtesë për një pasagjer, pa bërë të ditur identitetin e tij.

Portali “Nova.rs” raportoi, duke iu referuar burimeve jozyrtare, se bëhej fjalë për Vulin dhe se ai kishte hipur në avion pa përfunduar procedurën e sigurisë, dyshohet me ndihmën e dikujt. Ndërkohë, N1 raportoi se për disa orë ishte zbatuar procedurë e ngjashme me atë që përdoret në rastet e kërcënimeve me bombë, por ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Pas incidentit, Vulin deklaroi për televizionin “Informer” se bëhej fjalë për një përpjekje për përballje politike ndaj tij. Ai tha se po udhëtonte zyrtarisht drejt Moskës për të lobuar për vazhdimin e marrëveshjes së furnizimit me gaz.

Në mesin e udhëtarëve ishin edhe drejtori i “Srbijagas”, Dušan Bajatović, si dhe kryetari i Partisë Popullore Serbe, Nenad Popović.

Bajatović konfirmoi se pas kthimit në Beograd të gjithë pasagjerët dhe bagazhet iu nënshtruan kontrolleve të hollësishme të sigurisë. Ai tha se udhëtimi i tij drejt Rusisë lidhej me problemet e furnizimit me gaz dhe të qarkullimit të pagesave pas rastit të “Alta Bankës”.