KUMANOVË

Banorët e Kumanovës që kanë investuar në kursimin e energjisë mund të fitojnë çmime

Familjet nga Kumanova që kanë ndërmarrë masa për përmirësimin e efikasitetit energjetik në shtëpitë e tyre kanë mundësinë të marrin pjesë në një konkurs publik me shpërblime, të organizuar nga Qendra për Hulumtim dhe Informim për Mjedisin Jetësor “Eko-svest” nga Shkupi, në bashkëpunim me Komunën e Kumanovës, raporton tvfesta.mk

Qëllimi i këtij konkursi është promovimi dhe nxitja e përdorimit efikas të energjisë në amvisëri, si dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për përfitimet ekonomike, sociale dhe mjedisore që sjellin investimet në kursimin e energjisë.

Në konkurs mund të marrin pjesë të gjitha familjet nga Kumanova që tashmë kanë zbatuar masa konkrete për rritjen e efikasitetit energjetik në banesat apo shtëpitë e tyre.

Përmes shembujve të këtyre familjeve, organizatorët synojnë të promovojnë zgjidhje praktike që mundësojnë shfrytëzim më racional të energjisë, ulje të konsumit dhe reduktim të shpenzimeve familjare.

Konkursi ka filluar më 12 tetor dhe do të zgjasë deri më 10 nëntor 2026, ndërsa qytetarët e interesuar mund të aplikojnë përmes faqes zyrtare të organizatës www.ekosvest.com.mk.

Çmimi për efikasitet energjetik do të ndahet gjatë një aktiviteti publik që do të organizohet në Komunën e Kumanovës. Me këtë ngjarje do të përmbyllet edhe fushata publike kushtuar promovimit të efikasitetit energjetik në amvisëri.

Organizatorët synojnë që përmes kësaj nisme të inkurajojnë sa më shumë qytetarë të investojnë në zgjidhje që kursejnë energjinë, ulin shpenzimet dhe kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit jetësor.