KUMANOVË

Shkaktoi aksident nën ndikimin e alkoolit, arrestohet 43-vjeçari nga Kumanova

Një 43-vjeçar nga rajoni i Kumanovës është arrestuar mbrëmjen e së martës, më 3 nëntor 2026, pasi dyshohet se ka shkaktuar një aksident trafiku duke drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit, raporton tvfesta.mk

Sipas informacioneve të Sektorit për Punë të Brendshme në Kumanovë, arrestimi është kryer në orën 20:32, ndërsa personi i ndaluar është identifikuar me inicialet S.S. (43), banues në fshatin Billanoc të Kumanovës.

Nga policia bëjnë të ditur se 43-vjeçari, duke drejtuar një automjet të tipit “Audi” me targa të Sllovenisë, ishte përfshirë në një aksident trafiku në territorin e fshatit Llopat, në rajonin e Kumanovës.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe kontrolleve të kryera nga zyrtarët policorë, është konstatuar se drejtuesi i automjetit ishte nën ndikimin e alkoolit.

Testimi ka treguar praninë e 1.55 promilëve alkool, çka ka çuar në ndalimin e tij nga ana e policisë.

Rasti është evidentuar nga organet kompetente policore, ndërsa në informacionin e publikuar nuk jepen detaje për persona të lënduar apo dëme të mundshme materiale nga aksidenti. /tvfesta