Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar disa herë pas rezultateve të zgjedhjeve të mesmandatit, ku republikanët pësuan humbje në disa prej garave kryesore elektorale, ndërsa demokratët siguruan fitore të rëndësishme në Kongres.
Në reagimet e tij të para, Trump vlerësoi punën e demokratëve gjatë fushatës, duke deklaruar në një intervistë për Fox News se ata kishin bërë një punë të mirë dhe ishin përpjekur fort.
Më pas, kreu i Shtëpisë së Bardhë shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me kundërshtarët politikë, duke thënë se shpresonte që palët të gjenin një zgjidhje të përbashkët. Në një intervistë për The New York Times, ai u shpreh se mezi priste të punonte me demokratët.
Megjithatë, përmes një postimi në platformën Truth Social, Trump shprehu edhe zhgënjimin për rezultatin zgjedhor, duke pretenduar se republikanët do të kishin fituar me një diferencë të madhe nëse ai vetë do të ishte në fletëvotim.
Presidenti amerikan pranoi gjithashtu se konflikti me Iranin dhe rritja e çmimeve të karburantit kanë ndikuar negativisht në mbështetjen për republikanët.
Në të njëjtën kohë, Trump paralajmëroi përdorimin e vetos për të bllokuar nismat e demokratëve në Kongres. Për këtë, ai publikoi edhe një fotografi të një kapeleje të kuqe me mbishkrimin “VETO”.

