KUMANOVË

Sedat Zulbeari: Sigurohet buxhet shtesë për Shtëpinë e Shëndetit në Kumanovë

Shtëpia e Shëndetit në Kumanovë do të përfitojë buxhet shtesë, pas takimit të zhvilluar më 22 shtator 2026 me drejtuesit e Fondit Shëndetësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, informon tvfesta.mk

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Kumanovë, Sedat Zulbeari, i cili ka shprehur mirënjohje për zëvendësdrejtorin e Fondit Shëndetësor, Sedat Bislimi, për mbështetjen dhe angazhimin në mundësimin e takimit me drejtorin e Fondit Shëndetësor.

Sipas Zulbearit, përcjell tvfesta.mk se gjatë takimit janë diskutuar nevojat dhe sfidat me të cilat përballet Shtëpia e Shëndetit në Kumanovë, ndërsa një nga rezultatet e takimit ka qenë marrëveshja për sigurimin e buxhetit shtesë për institucionin shëndetësor.

“Ky është një hap i rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës, forcimit të kapaciteteve tona dhe ofrimit të shërbimeve shëndetësore më cilësore për qytetarët”, ka deklaruar Zulbeari.

Ai ka falënderuar drejtuesit e Fondit Shëndetësor për bashkëpunimin, përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shtëpisë së Shëndetit në Kumanovë.

Buxheti shtesë pritet të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të punës dhe forcimin e kapaciteteve të institucionit, me synim përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët.