Me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion dhe parandalimit të parregullsive në transportin publik, Sektori për Parandalim pranë Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) në Kumanovë ka organizuar sot një takim pune me transportuesit e autobusëve nga rajoni i Kumanovës. informon tvfesta.mk
Në këtë takim mori pjesë edhe komandanti i Stacionit Policor për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor në Kumanovë, Agim Shemshiu, i cili përmes një njoftimi bëri të ditur se në fokus të diskutimeve ishte respektimi i dispozitave ligjore dhe garantimi i sigurisë së udhëtarëve.
Takimi përfshiu përfaqësues të kompanive që realizojnë transport publik të udhëtarëve në linja urbane, komunale dhe ndërkombëtare.
Sipas njoftimit të Shemshiut, qëllimi kryesor ishte ndërgjegjësimi i transportuesve për përgjegjësitë që kanë në respektimin e rregullave të komunikacionit, si dhe parandalimi dhe eliminimi i parregullsive që mund të rrezikojnë shëndetin dhe jetën e udhëtarëve.
Përveç komandantit Agim Shemshiu, siç infomron tvfesta në takim morën pjesë edhe inspektori shtetëror për rrugë dhe infrastrukturë pranë Ministrisë së Transportit, Bojan Antiç, udhëheqësit Lidija Lang Spasovska dhe Boban Bojkovski, si dhe inspektorët kompetentë për komunikacionin rrugor nga Komuna e Kumanovës, Nenad Ilievski dhe Dejan Dimitrievski.
Gjatë diskutimeve u theksua nevoja për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet policisë, institucioneve përgjegjëse dhe kompanive transportuese, me qëllim përmirësimin e kushteve të transportit dhe ngritjen e nivelit të sigurisë në rrugë.
Siguria e udhëtarëve dhe respektimi i ligjit mbeten në qendër të angazhimeve të institucioneve kompetente, ndërsa takime të tilla synojnë parandalimin e situatave që mund të sjellin pasoja të rënda në komunikacion./tvfesta

