Këshilltari i Komunës së Kumanovës nga koalicioni VLEN, Skender Osmani, ka përkujtuar dëshmorët e Luftës Nacionalçlirimtare me rastin e 11 Nëntorit – Ditës së Çlirimit të Kumanovës, duke theksuar kontributin e shqiptarëve në këtë luftë dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike, raporton TVFesta.mk.
Përmes një postimi publik, Osmani ka shprehur respekt dhe mirënjohje për të gjithë të rënët nga Kumanova dhe rrethina, të cilët sakrifikuan jetën gjatë Luftës Nacionalçlirimtare.
Ai ka theksuar se historia e qytetit dhe emrat e gdhendur në Përmendoren e Qytetit dëshmojnë për pjesëmarrjen e shqiptarëve në këtë luftë.
“Vetë historia e qytetit tonë, si dhe epitafet e gdhendura në Përmendoren e Qytetit, dëshmojnë për pjesëmarrjen e dukshme të shqiptarëve në këtë luftë”, ka shkruar Osmani.
Këshilltari komunal ka ndarë edhe një kujtim personal, duke bërë të ditur se në mesin e dëshmorëve ndodhet edhe xhaxhai i tij, Aliriza Shaban Osmani, i cili kishte rënë së bashku me bashkëluftëtarët e tij.
Përmes fotografive të publikuara, Osmani u ka bërë thirrje edhe familjeve të tjera që ruajnë fotografi të dëshmorëve t’i ndajnë ato publikisht, me qëllim që kujtimi për ta të mbetet i gjallë ndër breza, informon tvfesta.
Sipas tij, sakrifica e të rënëve është pjesë e pandashme e historisë së Kumanovës dhe një dëshmi e rëndësishme e kontributit për liri.
“Gjaku i derdhur dhe sakrifica e tyre janë pjesë e historisë sonë dhe një dëshmi e fuqishme e kontributit për liri, si dhe një garanci morale për barazi dhe respekt të ndërsjellë ndërmjet komuniteteve në qytetin tonë”, ka theksuar Osmani.
Ai ka nënvizuar se përkujtimi i dëshmorëve duhet të mbetet pjesë e vazhdueshme e kujtesës kolektive, ndërsa sakrifica e tyre nuk duhet të harrohet.
“Ne do t’i kujtojmë ata me nderim, në çdo përvjetor. Sakrifica e tyre nuk do të harrohet kurrë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!”, ka përfunduar këshilltari i VLEN-it, Skender Osmani.
Reagimi i tij vjen në kuadër të shënimit të 11 Nëntorit, Ditës së Çlirimit të Kumanovës, një datë që përkujton historinë dhe të rënët gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. /tvfesta

