LAJME

FRI reagon ndaj akuzave: Paralajmëron padi ndaj atyre që përhapin pretendime të pavërteta

Forumi Rinor Islam (FRI) në Shkup ka reaguar ndaj publikimeve të fundit mediatike, në të cilat emri i kësaj organizate është ndërlidhur me pretendime që burojnë nga një vendim i Gjykatës Penale të Egjiptit, duke i hedhur poshtë kategorikisht akuzat dhe duke paralajmëruar ndërmarrjen e procedurave gjyqësore, raporton TVFesta.mk.

Në demantin publik të datës 11 nëntor 2026, Forumi Rinor Islam shpreh shqetësimin për ndërlidhjen e emrit të organizatës me pretendime që, sipas saj, janë të pabazuara dhe nuk mbështeten në dokumentacion të verifikuar.

“Hedhim poshtë kategorikisht çdo akuzë dhe ndërlidhje të pabazuar e të pretenduar ndaj organizatës sonë”, thuhet në reagimin zyrtar.

Nga FRI theksojnë se përmendja e një organizate në dokumente të institucioneve të huaja nuk përbën në vetvete dëshmi juridike për përgjegjësi apo përfshirje në veprimtari të paligjshme.

Sipas organizatës, çdo pretendim i tillë duhet të mbështetet në dokumentacion zyrtar dhe në verifikim të saktë të identitetit juridik të subjektit për të cilin bëhet fjalë.

“Një identifikim i tillë kërkon dokumentacion zyrtar dhe verifikim të saktë të identitetit juridik të organizatës”, theksohet në demant.

Forumi Rinor Islam rikujton se është organizatë qytetare e regjistruar, e cila vepron në përputhje me legjislacionin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas njoftimit, organizata ka mbi 25 vite veprimtari publike, të përqendruar në edukimin, zhvillimin e të rinjve, kulturën dhe mbështetjen e arsimit.

FRI thekson gjithashtu se gjatë veprimtarisë së saj ka realizuar projekte në bashkëpunim me organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, Komisionin Evropian dhe OSBE-në, si dhe me institucione vendore.

Në reagimin e saj, organizata paralajmëron se do të iniciojë procedura gjyqësore dhe do të kërkojë kompensim të dëmit ndaj çdo subjekti për të cilin vërtetohet përgjegjësia ligjore për përhapjen e pretendimeve të pavërteta dhe dëmtuese.

“Forumi Rinor Islam – Shkup do të iniciojë procedura gjyqësore dhe do të kërkojë kompensim të dëmit ndaj çdo subjekti për të cilin vërtetohet përgjegjësia ligjore”, thuhet në demant.

Njëkohësisht, FRI u bën thirrje mediave dhe subjekteve të tjera që të tregojnë përgjegjësi profesionale, të verifikojnë burimet dhe të shmangin publikimin e ndërlidhjeve të pakonfirmuara që mund të dëmtojnë reputacionin e organizatës.

Në fund, Forumi Rinor Islam rithekson përkushtimin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lirinë e organizimit qytetar dhe vazhdimin e aktiviteteve në fushën e arsimit, zhvillimit të të rinjve dhe dialogut ndërkulturor.