KUMANOVË

Në prag të 22 dhe 28 Nëntorit, policia në Likovë apelon për festime pa provokime dhe incidente

Në hapësirat e Komunës së Likovës është mbajtur një takim informues dhe koordinues ndërmjet përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe përfaqësuesve të bashkësive lokale, me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike gjatë festave kombëtare të nëntorit, raporton tvfesta.mk.

Takimi është zhvilluar më 19 nëntor 2026, me ftesë të përfaqësuesve të policisë, në prag të shënimit të 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip dhe 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar.

Në takim morën pjesë Ilaz Fetahi, komandant i Preventivës në Kumanovë, Sulejman Asipi, komandant i Stacionit Policor në Mateç, Irfan Emrullahu, përfaqësues i Stacionit Policor në Mateç, si dhe përfaqësues të bashkësive lokale të Komunës së Likovës.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e policisë kanë dhënë udhëzime dhe rekomandime për ruajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike gjatë organizimit të aktiviteteve festive.

Theks i veçantë i është kushtuar përgjegjësisë qytetare, maturisë dhe shmangies së provokimeve apo situatave që mund të shkaktojnë incidente.

Pjesëmarrësit kanë bërë thirrje që festat kombëtare të nëntorit të shënohen në mënyrë dinjitoze, në frymën e respektit të ndërsjellë, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës paqësore.

Bashkësia Lokale e Hotlës me apel të veçantë për të rinjtë

Pas takimit, përfaqësuesit e Bashkësisë Lokale të fshatit Hotël kanë publikuar një apel drejtuar banorëve të fshatit, veçanërisht të rinjve, që gjatë festave të nëntorit të tregojnë maturi dhe përgjegjësi.

Ata kanë kërkuar që qytetarët të shmangin provokimet, të respektojnë rendin dhe qetësinë publike, si dhe të zbatojnë rekomandimet e institucioneve kompetente.

“Festat tona kombëtare janë simbol i krenarisë, bashkimit dhe identitetit tonë. Le t’i kremtojmë ato me dinjitet, pa provokime dhe pa incidente të panevojshme”, thuhet në apelin e Bashkësisë Lokale të Hotlës.

Përfaqësuesit e bashkësisë lokale kanë falënderuar banorët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar rëndësinë e festimit të qetë dhe të sigurt të dy datave të rëndësishme kombëtare. /tvfesta