SPORT

Bashkimi triumfon në transfertë ndaj Shkëndijës së Haraçinës, Murati i siguron tri pikë të rëndësishme

Bashkimi i Kumanovës ka shënuar një fitore të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur Shkëndijën e Haraçinës me rezultat minimal 0:1, në ndeshjen hapëse të xhiros së 14-të të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, raporton tvfesta.mk.

Skuadra kumanovare zhvilloi një paraqitje të mirë, duke krijuar disa raste të volitshme për shënim gjatë takimit.

Pas tri mundësive të mira për gol, Bashkimi arriti të zhbllokojë rezultatin në minutën e 64-t, kur kapiteni Murati realizoi golin e vetëm të ndeshjes, duke kaluar mysafirët në epërsi.

Deri në përfundim të takimit, rezultati mbeti i pandryshuar, ndërsa futbollistët e Bashkimit arritën të ruajnë avantazhin dhe të sigurojnë tri pikë mjaft të vlefshme.

Kjo fitore ka rëndësi të veçantë për skuadrën nga Kumanova, e cila po lufton për të siguruar mbijetesën në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut.

Me këtë triumf, Bashkimi merr një rezultat pozitiv në një përballje të rëndësishme dhe fiton motivim shtesë për sfidat e ardhshme në kampionat. /tvfesta