LAJME

Mbi 1 milion euro subvencione për 3.656 prodhues të qumështit në Maqedoni të Veriut

Në Maqedoninë e Veriut janë paguar afro 65 milionë denarë, apo rreth 1,05 milion euro, për mbështetjen financiare të 3.656 prodhuesve të qumështit, raporton tvfesta.mk.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, e cila njoftoi se pagesat janë realizuar nga Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural.

Sipas njoftimit zyrtar, më 19 nëntor 2026 është realizuar pagesa në vlerë të përgjithshme prej 64.927.881 denarësh, nga e cila kanë përfituar gjithsej 3.656 prodhues të qumështit.

Këto mjete janë pjesë e mbështetjes financiare për sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, me qëllim përkrahjen e prodhuesve vendorë.

Nga Ministria theksojnë se zhvillimi i vazhdueshëm i prodhimit vendor mbetet një nga prioritetet e institucionit.

Mbështetja financiare për prodhuesit e qumështit synon të kontribuojë në ruajtjen dhe zhvillimin e prodhimit vendas, sektor ky me rëndësi për ekonominë bujqësore të vendit. /tvfesta