Këshilli Gjyqësor gjatë seancës së sotme diskutoi për gjendjen në Gjykatën Themelore të Kumanovës, pasi dje Sindikata “UPOZ-it” reagoi publikisht ndaj fyerjeve dhe sjelljes joadekuate ndaj punonjësve nga ana e kryetares së kësaj gjykate, informon tvfesta.mk
Anëtari i Këshillit Gjyqësor, Ivica Nikollovski, i cili është koordinator për Gjykatën Themelore të Kumanovës, theksoi se Këshilli prej kohësh po i monitoron zhvillimet në këtë gjykatë dhe se kjo çështje nuk është e re për institucionin. Ai bëri të ditur se tashmë janë formuar dy komisione që po punojnë në konstatimin e gjendjes faktike, ndërsa në ndërkohë pranë Këshillit po mbërrijnë informacione dhe shkresa shtesë nga palët e përfshira.
Në drejtim të shqyrtimit të ngjarjeve në Kumanovë dhe gjetjes së një zgjidhjeje që do të çojë në një rezultat pozitiv për të gjithë, me kërkesë të kryetarit të Këshillit Gjyqësor dhe kryetares së Gjykatës Themelore të Kumanovës është caktuar një takim. Raportet janë drejt përfundimit dhe pres që në një nga seancat e ardhshme të vendosen në rend dite – informoi Nikollovski.
Ai shtoi se në raporte do të përfshihen gjetjet nga vizitat në terren, si dhe informacionet e marra nga të gjitha palët e përfshira, pas së cilës Këshilli do të sjellë konkluzione për veprimet e mëtejshme.
Lidhur me reagimet e UPOZ-it, Suzana Joshevska-Anastasovska njoftoi se parashtresa në të cilën është thirrur sindikata tashmë është lëndë në procedim. Sipas saj, parashtresa nuk ka qenë e dorëzuar me nënshkrime origjinale, por në vend që të hidhej poshtë për shkak të lëshimeve formale, Këshilli vendosi të ndërmarrë aktivitete shtesë për shkak të interesit publik dhe nevojës për një pasqyrë të plotë të situatës në Kumanovë.
Sipas tvfesta.mk ndaj parashtresës jo vetëm që po veprohet, por është vepruar në afatet më të shkurtra të mundshme dhe në mënyrën më të ndërgjegjshme. Qëllimi ishte t’u dilnim në ndihmë punonjësve dhe të shqyrtonim pretendimet e tyre, por për këtë është e nevojshme të plotësohen edhe kushtet ligjore për procedim – sqaroi Joshevska-Anastasovska.
Këshilli Gjyqësor në seancën e sotme vendosi për disa çështje nga kompetenca e tij, ndër të cilat edhe për formimin e komisioneve të raportuesve sipas kërkesave të dorëzuara për inicimin e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë së gjyqtarëve dhe kryetarëve të gjykatave.
Në seancë, anëtarët e Këshillit diskutuan gjithashtu për njoftimet lidhur me gjendjen e konstatuar faktike, si dhe për çështje që lidhen me të drejtën e kompensimit të shpenzimeve në kuadër të ushtrimit të funksionit të gjyqtarit.
Këshilli mori gjithashtu vendime lidhur me zgjedhjen dhe shkarkimin e gjyqtarëve juratë në gjykatat e vendit.
Gjithashtu, Këshilli Gjyqësor shqyrtoi kërkesën e Koalicionit “Gjithçka për gjykim të drejtë” për të pranishëm në pjesën e mbyllur të seancës ku shqyrtohen lëndët për përcaktimin e përgjegjësisë së gjyqtarëve dhe kryetarëve të gjykatave. Pas debatit mes anëtarëve, kërkesa u refuzua me nëntë vota “kundër” dhe tre “për”.
Kjo çështje u hap në kuadër të pikës që lidhej me formimin e komisioneve të raportuesve sipas kërkesave për inicimin e procedurave për përcaktimin e përgjegjësisë së gjyqtarit apo kryetarit të gjykatës, për të cilën, sipas dispozitave ligjore, publiku është i përjashtuar.
Disa nga anëtarët e Këshillit, përkatësisht Suzana Joshevska-Anastasovska dhe Antoaneta Dimovska, u angazhuan për praninë e publikut ekspert, duke theksuar se Koalicioni prej vitesh e monitoron punën e Këshillit Gjyqësor dhe përgatit raporte që përdoren në analizat e gjendjes në gjyqësor.
Në debat u nënvizua se zgjidhjet e reja ligjore parashikojnë mundësinë që publiku ekspert të jetë i pranishëm në seanca të caktuara jo publike dhe se për çdo kërkesë duhet të vendoset veçmas.
Anëtarja e Këshillit, Tanja Çaçarova-Ilievska, vlerësoi se për kërkesa të këtilla duhet të ekzistojë një arsyetim formal dhe konkret për arsyet pse kërkohet prania në një seancë të caktuar dhe në një pikë të caktuar të rendit të ditës, si dhe se vendimmarrja duhet të jetë në përputhje me procedurat ligjore./tvfesta

