Këto ditë, pushteti vendor i Dibrës ka filluar realizimin e projektit që ka të bëjë me përmirësimin dhe zgjerimin e ndriçimit publik. Bëhet fjalë për fillimin e një projekti të ri, i cili realizohet me mjete nga buxheti lokal dhe ka për qëllim vendosjen e një ndriçimi më efikas. Sipas komunës, edhe ky projekt ka të bëjë me përmirësimin e kushteve të jetesës për dibranët.
Komuna e Dibrës thekson se një nga projektet e reja që po realizohen është përmirësimi dhe zgjerimi i rrjetit të ndriçimit publik. “Ky është një investim i financuar nga Buxheti i Komunës së Dibrës, i planifikuar për këtë vit, me ndërhyrje në disa pjesë të qytetit. Përmes këtij projekti synojmë të krijojmë një rrjet të ri dhe më funksional të ndriçimit publik, duke përmirësuar ndriçimin e hapësirave dhe rrugëve ku është e nevojshme”, thuhet në informimin e komunës.
Ky është vetëm një nga projektet që pritet të realizohet tërësisht deri në fund të këtij viti, respektivisht deri në dhjetor të vitit 2026. “Komuna e Dibrës vazhdon të punojë çdo ditë për një qytet më të mirë, më të sigurt dhe më funksional për të gjithë qytetarët”, thonë në pushtetin vendor.
Me këtë projekt do të përmirësohet ndriçimi në disa pjesë të qytetit, sidomos në pjesën qendrore, ku ndriçimi ka qenë i dobët, por gjithashtu do të mundësohet vendosja e ndriçimit publik në disa pjesë të periferisë së qytetit. Përmirësimi dhe zgjerimi i ndriçimit publik do të bëhet me vendosjen e teknologjisë moderne për ndriçimin e qyteteve. Pritet që pas realizimit të këtij projekti të fillojë edhe faza e re për përmirësimin e ndriçimit publik në vendbanimet rurale. /KOHA/

