LAJME

Memedi: Sigurohet terapia moderne Trikafta për 126 pacientë me fibrozë cistike

Drejtori i Klinikës Universitare për Sëmundje të Fëmijëve në Shkup, Rexhep Memedi, ka njoftuar një zhvillim të rëndësishëm në trajtimin e pacientëve me fibrozë cistike në Maqedoninë e Veriut, informon tvfesta.mk

Përmes një video-mesazhi, Memedi ka bërë të ditur se është siguruar terapia moderne moduluese Trikafta për të gjithë pacientët me fibrozë cistike që plotësojnë kriteret dhe kanë indikacionet e nevojshme mjekësore.

Sipas tij, duke filluar nga ky vit, gjithsej 126 pacientë me fibrozë cistike, nga mosha dyvjeçare e lart, do të kenë qasje në këtë terapi moderne të synuar, e cila paraqet një avancim të rëndësishëm në trajtimin e kësaj sëmundjeje.

“Edhe një lajm i mirë nga Klinika e Fëmijëve. Është siguruar terapia moderne moduluese Trikafta për të gjithë pacientët me fibrozë cistike që kanë indikacion mjekësor”, ka njoftuar Memedi.

Terapia Trikafta vepron mbi proteinën CFTR, funksionimi i së cilës është i dëmtuar te personat me fibrozë cistike. Ajo mund të ndihmojë në përmirësimin e funksionit të mushkërive dhe në zvogëlimin e komplikimeve të sëmundjes te pacientët që plotësojnë kriteret për trajtim.

Sigurimi i kësaj terapie për pacientët e kualifikuar konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kujdesit shëndetësor dhe cilësisë së jetës së personave që jetojnë me fibrozë cistike në vend. /tvfesta