KUMANOVË

Nxënësit e SHMK “Ismet Jashari” pjesë e debatit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për informimin dhe dezinformimin

Dhjetë nxënës të Shkollës së Mesme Komunale “Ismet Jashari” morën pjesë më 3 nëntor 2026 në një debat të organizuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me temën “Çfarë sheh, kujt i beson?”, i cili kishte në fokus të rinjtë, informimin dhe sfidat e dezinformimit, informon tvfesta.mk

Aktiviteti synonte të nxiste ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësinë e informimit të saktë, zhvillimin e mendimit kritik dhe aftësinë për të dalluar informacionet e besueshme nga përmbajtjet e pavërteta apo manipuluese.

Nxënësit e SHMK “Ismet Jashari” u shoqëruan nga profesoreshat Valbona Etemi Hasan dhe Zhaklina Mlladenovska, të cilat e vlerësuan pjesëmarrjen në këtë debat si një përvojë të rëndësishme edukative dhe qytetare.

Sipas profesoreshave, kjo vizitë u dha nxënësve mundësinë të reflektojnë mbi përgjegjësinë që ka secili individ në përzgjedhjen, verifikimin dhe shpërndarjen e informacioneve, veçanërisht në kohën kur rrjetet sociale dhe platformat digjitale janë bërë burime kryesore të informimit.

“Jemi të kënaqura që patëm mundësinë t’u ofrojmë nxënësve tanë një përvojë të tillë edukative, frymëzuese dhe me vlera të veçanta për formimin e tyre qytetar”, kanë theksuar profesoreshat, duke falënderuar organizatorët për ftesën dhe mundësinë e pjesëmarrjes.

Pjesëmarrja në aktivitete të këtilla u mundëson të rinjve të njihen më nga afër me institucionet shtetërore, të zhvillojnë kulturën e debatit dhe të kuptojnë rëndësinë e përgjegjësisë qytetare në një shoqëri demokratike.

Mesazhi kryesor i këtij aktiviteti ishte se të rinjtë, si e ardhmja e shoqërisë, duhet të jenë qytetarë të mirëinformuar, të aftë për të menduar në mënyrë kritike dhe të përgjegjshëm ndaj informacioneve që pranojnë dhe shpërndajnë. /tvfesta