MAQEDONI

ASH: Pllaka me termin “terroristë shqiptarë” në kazermën Ilinden është gjuhë urrejtjeje, të hiqet menjëherë

Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Arben Taravari ka reaguar ashpër ndaj homazheve të ministrit të Mbrojtjes, Vllado Misajlovski, të bëra në kazermën “Ilinden”, pranë pllakës përkujtimore kushtuar katër ushtarëve maqedonas të vrarë më 28 prill të vitit 2001 në zonën e Vicës, duke e cilësuar të papranueshme praninë e termit “terroristë shqiptarë” në atë memorial.

Në reagimin e ASH-së thuhet se veprimi i ministrit Misajlovski dëshmon, siç vlerësojnë ata, “urrejtjen e vazhdueshme të VMRO-DPMNE-së ndaj shqiptarëve”, ndërsa gjuha e përdorur në pllakën përkujtimore cilësohet si shoviniste, diskriminuese dhe në kundërshtim me standardet demokratike dhe multietnike të shtetit.

Sipas Aleancës për Shqiptarët, fakti që një ministër i një shteti multietnik vendos lule dhe bën homazhe para një pllake ku shqiptarët identifikohen në mënyrë kolektive me termin “terroristë”, përbën fyerje për bashkëqytetarët shqiptarë dhe legjitimon gjuhën e urrejtjes në nivel institucional.

Partia e Taravarit kërkon nga partneri qeveritar VLEN, përmes zëvendësministrit të Mbrojtjes Admir Shabani, të kërkojë menjëherë heqjen ose ndryshimin e tekstit të pllakës, ndërsa nga ministri Misajlovski kërkon sqarim publik dhe ndërhyrje konkrete për largimin e, siç thuhet, kësaj gjuhe fyese nga kazerma “Ilinden”.

Në reagim rikujtohet se Marrëveshja e Ohrit është dëshmi historike dhe politike se luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ishin “luftëtarë të lirisë dhe të drejtave”, e jo siç, sipas ASH-së, i etiketon pllaka kontestuese.

Aleanca për Shqiptarët nënvizon gjithashtu se në Armatën e Maqedonisë së Veriut shërbejnë ushtarë, oficerë, nënoficerë e gjeneralë shqiptarë, duke e bërë edhe më problematik, sipas tyre, përdorimin e një terminologjie të tillë brenda një institucioni shtetëror.

“Kujtesa për të rënët është legjitime dhe njerëzore, por nuk mund të shërbejë si justifikim për gjuhë urrejtjeje ndaj një komuniteti të tërë”, thuhet në reagim, ku theksohet se një praktikë e tillë bie ndesh me aspiratat evropiane të vendit.