KUMANOVË

Aksident në Opajë të Likovës, 18-vjeçarja humb kontrollin e veturës dhe përplaset në një konstruksion metalik

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pasditen e së shtunës (17 tetor) në rrugën rajonale Kumanovë–Likovë, përkatësisht në fshatin Opajë të Komunës së Likovës, ku një vajzë 18-vjeçare ka mbetur e lënduar rëndë, raporton TV Festa.

Sipas informacioneve të SPB Kumanovë, aksidenti është raportuar rreth orës 15:10, kur një automjet i markës Audi, me targa të Kumanovës, i drejtuar nga S.A. (18) nga fshati Sllupçan, ka dalë nga rruga dhe është përplasur në një konstruksion metalik.

Si pasojë e aksidentit, bashkudhëtarja A.A. (18), gjithashtu nga fshati Sllupçan, ka pësuar lëndime të rënda trupore, të cilat janë konstatuar nga mjekët e Spitalit të Përgjithshëm të Kumanovës.

Në vendin e ngjarjes ka dalë një ekip i SPB Kumanovë, i cili ka kryer këqyrjen për dokumentimin e aksidentit dhe sqarimin e rrethanave në të cilat ka ndodhur. /tvfesta