Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mëngjesin e së shtunës (17 tetor) në rrugën rajonale Kumanovë–Likovë, në fshatin Orizarë të Komunës së Likovës, ku një këmbësor 67-vjeçar ka mbetur i lënduar rëndë pasi është goditur nga një automjet, raporton TV Festa.
Sipas informacioneve të SPB Kumanovë, aksidenti është raportuar rreth orës 06:05, kur një automjet i markës BMW, me targa të Kumanovës, i drejtuar nga A.R. (35) nga fshati Likovë, ka goditur këmbësorin D.D. (67), banor i fshatit Orizarë.
Si pasojë e përplasjes, 67-vjeçari ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është transportuar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e SPB Kumanovë, të cilat kanë kryer këqyrjen për dokumentimin e aksidentit dhe sqarimin e rrethanave në të cilat ka ndodhur. /tvfesta

