LAJME

Ministria e Bujqësisë shpall konkurs për punësimin e 43 policëve pyjorë me pagë mbi 36 mijë denarë

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujit ka shpallur shpallje publike për punësimin e 43 policëve pyjorë patrullues me orar të plotë dhe me kohë të pacaktuar, me pagë mujore neto prej 36.246 denarë, raporton tvfesta.mk

Sipas kushteve të shpalljes, kandidatët duhet të kenë të përfunduar së paku arsimin e mesëm, ndërsa të drejtë aplikimi kanë si personat me përvojë pune, ashtu edhe ata pa përvojë.

Detyrat dhe përgjegjësitë e punës

Kandidatët e përzgjedhur do të jenë përgjegjës për:

Mbrojtjen e pyjeve, parandalimin dhe zbulimin e prerjeve ilegale dhe vjedhjeve të drunjve;
Kontrollin e transportit të drunjve dhe produkteve të tjera pyjore;
Monitorimin dhe raportimin e zjarreve pyjore, si dhe të sëmundjeve e dëmtuesve të bimëve.
Kushtet e punës dhe dokumentacioni i nevojshëm
Puna do të jetë e organizuar në tri ndërrime, nga e hëna në të dielën, me gjithsej 40 orë pune në javë.

Përveç dokumenteve standarde të kërkuara në shpallje, kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë edhe vërtetime për kalimin e testit psikologjik, testit të integritetit, si dhe certifikatën mjekësore.

Linku për aplikim: https://www.mzsv.gov.mk/sq-AL/odnosi-so-javnost/javni-oglasi/javen-oglas-12026-za-vrabotuvanje-na-43-patrolen-sumski-policaec

Afati për aplikim është 20 ditë nga dita e publikimit të shpalljes. Aplikimet me dokumentacionin e nevojshëm dorëzohen pranë Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujit. / tvfesta.mk