Në Shkollën Fillore Komunale “Naim Frashëri” në Kumanovë u organizua një aktivitet edukativ me qëllim të ngritjes së vetëdijes për rëndësinë e ushqyerjes së shëndetshme dhe parandalimin e kequshqyerjes te fëmijët. Aktiviteti u realizua nga arsimtarët, në bashkëpunim me nxënësit dhe prindërit, të cilët u angazhuan në prezantimin e produkteve natyrale dhe ushqimeve të shëndetshme, si pemë, perime dhe pije të shëndetshme. Gjatë aktivitetit, vëmendje e veçantë iu kushtua rëndësisë së përzgjedhjes së ushqimeve me vlera të larta ushqyese, si dhe shmangies së konsumimit të tepërt të produkteve jo të shëndetshme dhe pijeve të gazuara. Gjithashtu, u theksua se pijet energjike nuk janë të përshtatshme për fëmijët, për shkak të përmbajtjes së lartë të kafeinës dhe substancave të tjera stimuluese.
“Jemi të vetëdijshëm se po jetojmë në një kohë të tillë që nxënësit apo fëmijët tanë i përkushtohen më shumë ushqimeve të shpejta, pastaj konsumojnë patatina e ushqimeve me sheqer të tepruar, prandaj aktivet profesionale me klasat e gjashta, shtata dhe të teta të gjithë të ndarë në grupe me temat e tyre të cilat i përkasin gjeneratave bëjnë prezantimin e kësaj dukurie.”, u shpreh për TVM2 drejtori i Sh.F.K. “Naim Frashëri” – Kumanovë, Muhamet Zeqiri.
“Fatkeqësisht shumicën e fëmijëve që i shohim gjatë pushimit janë duke konsumuar ushqime të pashëndetshme kryesisht me patatina, pije të gazuara si dhe energjike, dhe mu për këtë qëllim e kemi organizuar këtë aktivitet me shpresë se do të vetëdijesohen sadopak e që ta ndryshojnë atë rutinën e vet dh eta zëvendësojnë me diçka të shëndetshme. Përmes këtyre organizimeve po shpresojmë që sadopak të ndikojmë pozitivisht të paktën 30%, por duhet edhe edukata familjare, rrethi shoqëror e shumë faktorë të tjerë.”, u shpreh për TVM2 Dafina Sulejmani, mësimdhënëse në Sh.F.K. “Naim Frashëri” – Kumanovë.
Përmes këtij aktiviteti, nxënësit patën mundësi të njihen më nga afër me rëndësinë e një regjimi të ekuilibruar ushqimor dhe ndikimin e tij në rritjen, zhvillimin dhe mirëqenien e tyre. Njëkohësisht, aktiviteti shërbeu si nxitje për krijimin e shprehive të shëndetshme ushqimore që në moshë të hershme. Bashkëpunimi ndërmjet shkollës, nxënësve dhe prindërve dëshmon rëndësinë e angazhimit të përbashkët në edukimin e brezave të rinj për një mënyrë jetese të shëndetshme.
FATLUM AQIFI

