SPORT

Bashkimi pëson humbje nga Sileksi, klubi kumanovar: “Do të kthehemi më të fortë”

KF Bashkimi ka pësuar humbje me rezultat 0:3 përballë Sileksit, në kuadër të xhiros së 10-të të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut. Pas këtij rezultati, klubi nga Kumanova ka reaguar me një mesazh për tifozët, duke pranuar se ishte një ndeshje për t’u harruar, por duke shprehur besimin se skuadra do të rikthehet më e fortë, raporton tvfesta.mk

Mysafirët kaluan në epërsi që në minutën e 13-të, kur Sero realizoi për 0:1. Në minutën e 48-të, Eftimov dyfishoi avantazhin e Sileksit, duke e çuar rezultatin në 0:2.

Bashkimi tentoi të rikthehej në lojë dhe në minutën e 77-të arriti të dërgonte topin në rrjetë përmes Ribeiros. Megjithatë, pas shqyrtimit të situatës nga sistemi VAR, goli u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.

Në minutën e 90+2, Mishov shënoi golin e tretë për mysafirët, duke vulosur rezultatin përfundimtar 0:3.

Pas kësaj humbjeje, informon tvfesta, Bashkimi mbetet në vendin e nëntë të tabelës me 7 pikë. Skuadra kumanovare ka regjistruar dy fitore, një barazim dhe shtatë humbje.

Në anën tjetër, Sileksi renditet në pozitën e gjashtë me 13 pikë nga 10 ndeshje, me tri fitore, katër barazime dhe tri humbje.

Kreu i tabelës mbahet nga Shkëndija me 23 pikë, ndërsa Struga dhe Vardari ndajnë pozitat e dyta dhe të treta me nga 20 pikë. Tikveshi renditet i katërti me 16 pikë, ndërsa Shkëndija Haraçinë e pesta me 14 pikë.

Pas përfundimit të takimit, klubi kumanovar pranoi se kjo ishte një ndeshje për t’u harruar, por theksoi se një rezultat negativ nuk do ta ndalë skuadrën në përpjekjet për të realizuar objektivat e sezonit.

Bashkimi falënderoi tifozët për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu vendosmërinë për të vazhduar përpara, me synimin për t’u rikthyer më i fortë në ndeshjet e ardhshme. /tvfesta