Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Rijad Shaqiri, ka folur për përvojën e tij në pushtet dhe rolin aktual në opozitë, duke kritikuar mënyrën e funksionimit të Qeverisë dhe shpërndarjen e mjeteve buxhetore, raporton TVFesta.mk.
I ftuar në “Podcast me Nexhat Aqifin” në Televizionin Festa, Shaqiri u pyet nëse ndihet më mirë si pjesë e Qeverisë apo në opozitë. Ai u shpreh se të qenët në pushtet është i vështirë kur nuk ke mundësi të realizosh premtimet dhe të ndikosh në vendimmarrje.
“Është vështirë të veprohet kur je i pafuqishëm ta realizosh atë që e ke premtuar”, deklaroi Shaqiri.
Duke folur për periudhën kur ishte pjesë e shumicës parlamentare në kuadër të koalicionit VLEN, ai tha se së bashku me deputetët Halil Snopçe dhe Sadik Sulejmani kanë qenë ndër zërat më aktivë, por, sipas tij, nuk kanë arritur të çojnë përpara as nisma që i konsideronin të rëndësishme.
“Ne kemi qenë ndër deputetët më të zëshëm në kuadër të koalicionit VLEN. Kjo është e dokumentuar. Besoni se nuk kemi mundur ta kalojmë një proces. Cila është logjika e funksionimit në një qeverisje ku nuk mundesh as një veprim të vogël ta lëvizësh përpara?”, u shpreh ai.
Shaqiri theksoi se opozita kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe mbikëqyrje të vendimeve të pushtetit. Ai tha se çdo ditë është i pranishëm në Kuvend, ku ndjek punën e komisioneve dhe shqyrton materialet që diskutohen në trupat parlamentare.
Sipas tij, si ekonomist me profesion, është angazhuar veçanërisht në Komisionin për Financa dhe Buxhet, duke synuar të kontribuojë në përmirësimin e infrastrukturës së zonës që përfaqëson dhe të vendbanimeve shqiptare në përgjithësi.
Një pjesë të rëndësishme të intervistës deputeti ia kushtoi shpërndarjes së buxhetit shtetëror, duke pretenduar se vendimmarrja për investimet është e përqendruar te kryeministri dhe ministri i Financave.
“Ne kemi një buxhet që akumulohet nga të gjithë qytetarët, por shpërndahet nga dy individë, ministri i Financave dhe kryeministri”, deklaroi Shaqiri, duke kritikuar mënyrën se si, sipas tij, përcaktohen destinacionet e mjeteve financiare.
Ai ngriti shqetësime edhe për projektet e financuara përmes kredisë hungareze, duke theksuar se këto mjete përbëjnë borxh publik dhe duhet të shpërndahen në mënyrë proporcionale.
“Kredia hungareze është një borxh i marrë në emër të të gjithë qytetarëve. Ndarja e saj në formë investimesh duhet të jetë proporcionale, për kokë banori”, tha Shaqiri.
Deputeti pretendoi gjithashtu se për disa projekte, ndonëse janë marrë vendime për financim, transferimi i mjeteve për pagesën e punimeve të realizuara ende nuk është kryer.
Në fund, Shaqiri dha një mesazh të prerë lidhur me pavarësinë e tij në vendimmarrjen parlamentare, duke deklaruar se nuk pranon t’i diktohet vota nga përfaqësues të partive të tjera.
“Nuk mund të funksionosh në pushtet thjesht duke qenë kukull. Unë nuk mund të pranoj që koordinatori i VMRO-së të më thotë këtë votoje, këtë mos e voto. Te unë kjo nuk kalon”, theksoi Shaqiri.
Deklaratat e deputetit u dhanë gjatë intervistës në “Podcast me Nexhat Aqifin” në Televizionin Festa, ku ai foli për sfidat e përfaqësimit politik, funksionimin e institucioneve dhe shpërndarjen e investimeve publike. /tvfesta

