KUMANOVË

Rijad Shaqiri: Dështimi në përdorimin e gjuhës shqipe nis nga vetë institucionet tona

Përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut vazhdon të mbetet një sfidë e madhe, ndërsa problemi kryesor shpesh buron nga vetë zyrtarët dhe udhëheqësit shqiptarë që lejojnë anashkalimin e saj. Kështu deklaroi deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Rijad Shaqiri, gjatë një interviste në Podcastin me Nexhat Aqifin në Televizionin Festa.

​Duke analizuar situatën nga aspekti juridik dhe praktik, Shaqiri theksoi se Kushtetuta dhe amendamentet përkatëse janë të qarta, por mosrespektimi i tyre përbën një goditje ndaj shtetit ligjor.

Sipas tij, ndonëse gjuha shqipe ka gjetur hapësirë zbatimi në të kaluarën duke sjellë si shembull përvojën e tij personale në administratën doganore ku vetë ka përkthyer vulat në shqip zbatimi praktik në institucioni vazhdon të çedojë.

​Si shembull konkret të këtij moszbatimi, deputeti Shaqiri solli rastin e vetë Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Ai tregoi se kur viziton faqen zyrtare të Kuvendit dhe zgjedh gjuhën shqipe, titujt e komisioneve dhe trupave punuese shfaqen në shqip, por sapo klikohet brenda për të parë rendin e ditës, dokumentet dhe pikat shfaqen ekskluzivisht në gjuhën maqedonase.
​”Ne po kemi probleme edhe me institucionet që udhëhiqen nga shqiptarët. Dokumentet dhe shkresat drejtohen dhe pranohen maqedonisht,” u shpreh Shaqiri.

​Duke hedhur dritë mbi përgjegjësinë e kësaj situate, deputeti i Aleancës për Shqiptarët u tregua i prerë se fajësia nuk duhet kërkuar te kryetari i Parlamentit apo palët e tjera, por te vetë kuadrot shqiptare që drejtojnë institucionet.

​Sipas tij, përderisa drejtuesit shqiptarë lejojnë që t’u imponohet një standard i tillë dhe nuk kërkojnë respektimin e plotë të gjuhës zyrtare, defekti qëndron brenda vetë shtëpisë. /tvfesta