Rreth 600 nxënës nga shkollat fillore dhe të mesme të Kumanovës morën pjesë sot në garën tradicionale të vrapimit në rrugët e qytetit, të organizuar me rastin e 11 Nëntorit – Ditës së Çlirimit të Kumanovës, raporton TVFesta.mk.
Manifestimi sportiv, i organizuar nga Lidhja Komunale e Sportit Shkollor në Kumanovë, mblodhi qindra nxënës në rrugët e pjesës qendrore të qytetit, duke krijuar një atmosferë sportive në prag të festës së qytetit.
Në organizimin e aktivitetit u përfshinë edhe rreth 40 mësimdhënës të edukatës fizike dhe shëndetësore nga shkollat fillore, si dhe mësimdhënës të sportit dhe aktiviteteve sportive nga shkollat e mesme.
Gara nisi nga disa lokacione të ndryshme, varësisht nga grupmoshat e pjesëmarrësve, ndërsa pika përfundimtare ishte sheshi i qytetit “Nova Jugosllavia”, ku u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve, medaljeve dhe dhuratave për pjesëmarrësit.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe kryetarja e Këshillit të Komunës së Kumanovës, Ivana Gjorgjievska, së bashku me përfaqësues të administratës komunale.
Gara tradicionale e vrapimit është pjesë e aktiviteteve sportive që organizohen çdo vit për nder të Ditës së Çlirimit të Kumanovës, ndërsa pjesëmarrja e madhe e nxënësve dëshmon interesimin e të rinjve për këtë manifestim.
Qëllimi i aktivitetit është promovimi i sportit dhe aktivitetit fizik, si dhe nxitja e shoqërimit, bashkëpunimit dhe zakoneve të shëndetshme të jetesës tek nxënësit. /tvfesta

