Sektori për Parandalim, në bashkëpunim me Stacionin Policor për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, realizoi një aktivitet parandalues nën moton „Stop ngasjes me papërgjegjshmëri të mjeteve motorike dhe aksidenteve rrugore“. Qëllimi i këtij aksioni ishte rikujtimi i pjesëmarrësve në trafik për rreziqet nga mosrespektimi i shpejtësisë, gjë që sipas ligjit përbën vepër penale, raporton tvfesta.mk
Gjatë aktivitetit, zyrtarët policorë informuan drejtpërdrejt shoferët për pasojat ligjore të sjelljes së papërgjegjshme timon. U theksua se secili ngasës i cili në vendbanim do ta tejkalojë shpejtësinë e lejuar për më shumë se 50 km/h, gjegjësisht jashtë vendbanimit për më shumë se 70 km/h, kryen veprën penale „Ngasje e papërgjegjshme e mjetit motorik“ sipas Kodit Penal, me ç’rast pason kallëzim penal përkatës.
Gjithashtu, u dërgua paralajmërim se kallëzim penal dhe masë për sekuestrimin e përkohshëm të automjetit pason edhe për ata që drejtojnë mjetin pa leje drejtimi ose gjatë kohës sa kanë një ndalesë aktive për ngasje.
Udhëheqësja e Sektorit për Parandalim, M-r Lile Mladenovska, u bëri apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik për respektim të vazhdueshëm të rregullave të komunikacionit:
„I bëjmë thirrje të gjithë shoferëve t’u përmbahen rreptësisht normave ligjore, të ndjekin shenjat e komunikacionit dhe kufizimet e shpejtësisë, të mos përdorin telefonat celularë gjatë ngasjes dhe të vendosin nevojshmërisht rripin e sigurisë. Në këtë mënyrë ngremë kulturën e komunikacionit, parandalojmë aksidentet rrugore dhe shpëtojmë jetë njerëzish.“

