Nxënësit e shkollës fillore “Kongresi i Manastirit” në fshatin Llopat të Kumanovës po e fillojnë edhe këtë vit të ri shkollor nën një kulm me materiale të rrezikshme dhe kancerogjene, shqetësimi për këtë problematikë serioze shëndetësore dhe infrastrukturore është ngritur gjatë seancës së 17-të të Këshillit Komunal të Kumanovës nga këshilltari i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Shemsi Murati, raporton tvfesta.mk.
Murati i ka drejtuar pyetje direkte drejtoreshës së Ndërmarrjes Publike “Kumanovo-Plan”, Aneta Shandeva Donevska, duke kërkuar sqarime se deri ku kanë arritur procedurat për hartimin dhe realizimin e projektit për ndërrimin e kulmit të kësaj shkolle.
“Nxënësit e fshatit Llopat vazhdojnë të mësojnë nën kulm me material kancerogjen edhe këtë vit shkollor. Kërkuam nga drejtoresha e NP ‘Kumanovo-Plan’ të dimë se deri ku ka arritur procedura për projektin e kulmit të shkollës fillore ‘Kongresi i Manastirit’ në fshatin Llopat,” ka deklaruar këshilltari Shemsi Murati, njofton tvfesta.mk.

