LAJME

Ndërron jetë legjenda e KF Bashkimit të Kumanovës, Ismet Bekteshi – “Forca”

Sporti kumanovar dhe futbolli vendor janë në zi pas ndarjes nga jeta të Ismet Bekteshit, njërit prej emrave më të dashur dhe më të respektuar në historinë e KF Bashkimit (FC Bashkimi 1947), i njohur gjerësisht në qytet me nofkën “Forca”, inform9n tvfesta.mk

​Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur vetë klubi kumanovar përmes një njoftimi zyrtar, duke e vlerësuar Ismet Bekteshin si një nga futbollistët më të mirë që kanë veshur ndonjëherë fanellën zi e gjelbër. Ai ishte pjesë e rëndësishme e gjeneratave që shënuan suksese të mëdha për klubin, duke fituar tituj kampioni në Ligën e Tretë dhe Ligën e Dytë, si dhe duke qenë protagonist kyç në rrugëtimin drejt inkuadrimit në Ligën e Parë.

​Përveç angazhimit në fushën e lojës, kontributi i “Forcës” vazhdoi edhe pas përfundimit të karrierës aktive si futbollist, duke punuar me përkushtim si trajner në Akademinë e klubit dhe duke ndihmuar në formimin e brezave të rinj.

​Në Kumanovë, Ismet Bekteshi do të mbahet mend jo vetëm për cilësitë e tij sportive, por edhe për karakterin e tij njerëzor, bujarinë dhe respektin që gëzonte te bashkëqytetarët, shokët e skuadrës dhe të gjithë dashamirët e futbollit.

​KF Bashkimi 1947 u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Bekteshi, të afërmve dhe të gjithë atyre që e njohën, duke ndarë dhimbjen për këtë humbje të madhe për klubin dhe komunitetin e Kumanovës.

​Qofsh i Xhenetit, legjendë! Emri dhe kontributi yt do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë së KF Bashkimit. /tvfesta