Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës është furnizuar me 20 aspiratorë të rinj portativë kirurgjikë, me qëllim përmirësimin e kushteve të punës për personelin mjekësor dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për pacientët, raporton tvfesta.mk.
Sipas njoftimit të spitalit, këto pajisje moderne mjekësore kanë rëndësi të veçantë në sallat e operacionit, ku mundësojnë dukshmëri më të mirë dhe zhvillim më të sigurt të ndërhyrjeve kirurgjikale.
Aspiratorët e rinj do të përdoren gjithashtu në kujdesin postoperativ, gjatë transportit të pacientëve, si dhe në reparte të ndryshme spitalore ku nevojitet aspirimi i sekrecioneve dhe lëngjeve.
Falë karakterit të tyre portativ, këto pajisje mundësojnë ndërhyrje të shpejtë të ekipeve mjekësore në kushte të ndryshme spitalore, duke kontribuar në përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve.
Nga Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës theksojnë se furnizimi me këto pajisje paraqet një hap tjetër drejt modernizimit të infrastrukturës shëndetësore, përmirësimit të kushteve të punës dhe ofrimit të shërbimeve më cilësore për qytetarët.

