KUMANOVË

Kurtishi: Në VLEN vendimet i marrim bashkërisht, prioritet kemi punën dhe realizimin e premtimeve

Njëri prej koordinatorëve të VLEN-it në Kumanovë, Orhan Kurtishi, ka deklaruar se fokusi i koalicionit duhet të jetë realizimi i përgjegjësive dhe premtimeve të veta, e jo kritikat ndaj asaj që nuk është bërë nga subjektet e tjera politike.

Gjatë pjesëmarrjes në podcastin “FOL” me Nexhat Aqifin në Televizionin Festa, Kurtishi theksoi se koordinimi ndërmjet subjekteve që përbëjnë VLEN-in është thelbësor për marrjen e vendimeve dhe zbatimin e tyre.

“Si pjesë e VLEN-it, si njëri prej koordinatorëve, por edhe si drejtues i institucionit që udhëheq, nuk merrem me atë që nuk e kanë bërë të tjerët. Merremi me atë se çfarë duhet të bëjmë ne, duke menduar gjithmonë që vendimet tona të mos shkaktojnë dëme”, deklaroi Kurtishi.

Ai tha se përfaqësuesit e koalicionit përpiqen që çdo vendim i rëndësishëm të jetë rezultat i një marrëveshjeje të përbashkët.

Sipas tij, koordinimi përfshin katër subjektet përbërëse të VLEN-it, ndërsa në këtë proces tani merr pjesë edhe Lëvizja Vetëvendosje.

“Maksimalisht mundohemi të jemi të koordinuar, që çdo vendim që merret nga të katër subjektet, tani pesë me Vetëvendosjen, të jetë unanim dhe të përpiqemi ta implementojmë”, u shpreh ai.

Megjithatë, Kurtishi pranoi se ekziston dallim ndërmjet marrjes së një vendimi politik dhe realizimit të tij në praktikë.

Ai shpjegoi se edhe kur ekziston pajtueshmëri për një kërkesë apo propozim ligjor, procesi i zbatimit mund të hasë në vështirësi institucionale dhe procedurale.

“Ne mund të bëjmë një kërkesë të caktuar apo një propozimligj, por pjesa e implementimit, faza e dytë nëpër të cilën duhet të kalojë, ndoshta është pak më e vështirë. Megjithatë, ne pjesën tonë duhet ta kryejmë plotësisht”, theksoi Kurtishi.

Ai nënvizoi rëndësinë e përgjegjësisë së përbashkët dhe bashkëpunimit ndërmjet partnerëve të koalicionit për realizimin e objektivave politike. /tvfesta