LAJME

Kurtishi: VLEN-i ka arritur mbi 2.800 punësime për shqiptarët, presim rritje edhe për 50% deri në fund të mandatit

Njëri prej koordinatorëve të VLEN-it në Kumanovë, Orhan Kurtishi, ka deklaruar se koalicioni ka arritur objektivin e tij prej rreth 2.800 punësimesh dhe vendimesh pune për shqiptarët, ndërsa pret që ky numër të rritet edhe për të paktën 50 për qind deri në përfundim të mandatit.

Në podcastin “FOL” me Nexhat Aqifin në Televizionin Festa, Kurtishi foli për politikat e punësimit të VLEN-it, duke theksuar se një nga ndryshimet më të rëndësishme, sipas tij, është ndërprerja e praktikës së zëvendësimit të punonjësve shqiptarë me shqiptarë të tjerë pas ndryshimit të pushtetit.

“Ne e kemi arritur targetin tonë si VLEN, gati 2.800 e më shumë, ndoshta edhe e kemi kaluar. Por nuk duhet të ndalemi këtu”, deklaroi Kurtishi.

Ai kritikoi praktikat e mëparshme politike, kur, sipas tij, ardhja në pushtet e një subjekti tjetër shpesh shoqërohej me largimin e një punonjësi shqiptar dhe zëvendësimin e tij me një shqiptar tjetër, duke u paraqitur kjo si punësim i ri.

“Partitë politike më herët kanë bërë ndryshimin e pozicioneve shqiptar me shqiptar. Nëse në një institucion ka punuar një shqiptar, me ardhjen në pushtet të një subjekti tjetër ai është zëvendësuar me një shqiptar tjetër dhe kjo është llogaritur si punësim”, tha ai.

Kurtishi theksoi se VLEN-i, sipas tij, ka ndjekur një qasje tjetër, duke vazhduar kontratat e punonjësve të angazhuar gjatë qeverisjeve të mëparshme.

Si shembull përmendi sektorin e shëndetësisë, ku, sipas tij, rreth 700 punonjësve të angazhuar në kohën e kundërshtarëve politikë u janë vazhduar kontratat dhe u janë dhënë vendime pune.

“Në shëndetësi kemi diku 700 vende pune të personave që kanë qenë të punësuar në kohën e oponentëve politikë. Ne ua kemi vazhduar kontratat dhe u kemi dhënë vendime, të cilat tani llogariten si vendime të dhëna në kohën e VLEN-it”, deklaroi Kurtishi.

Sipas tij, shmangia e zëvendësimit të shqiptarëve me shqiptarë të tjerë është tregues se koalicioni po ndjek drejtimin e duhur në politikat e punësimit.

Ai vlerësoi se numri prej rreth 2.800 deri në 2.900 vendimesh pune për shqiptarët gjatë dy viteve përbën një rezultat të rëndësishëm, por theksoi se pritjet janë edhe më të mëdha.

“Pres që ky numër të shtohet të paktën edhe për 50 për qind deri në fund të mandatit”, u shpreh Kurtishi.

Ai vlerësoi edhe punën e përfaqësuesve të VLEN-it që janë marrë me koordinimin e çështjeve të kuadrove dhe punësimeve, duke shprehur besimin se ky proces do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme. /tvfesta