LAJME

ITShKSh, Konferencë shkencore në Ditët e Alfabetit

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, organizoi konferencën shkencore kushtuar gjendjes së teksteve shkollore në Maqedoninë e Veriut. Konferencën e hapi drejtori i Institutit, ndërsa për rëndësinë e Kongresit të Manastirit foli drejtori i Muzeut të Alfabetit.

“Konsideroj se jemi me fat që kemi mundësi të kremtojmë një ditë si kjo dhe shumëfish me fat jam unë që kam rastin ta hap këtë ngjarje që u dedikohet ditëve të alfabetit dhe t’ju uroj mirëseardhje në konferencën ndërkombëtare shkencore në të cilën sivjet do t’i trajtojmë tekstet shkollore nën temën boshte “Gjendja e teksteve shkollore në RMV”.”, – deklaroi drejtori i ITShKSh-së, Besnik Emini.

“Madhështia e Kongresit të Manastirit nuk qëndron vetëm te vendimet që mori, por edhe te guximi i një brezi për të vendosur të ardhmen e kombit mbi interesat dhe dallimet e kohës së vet. Ai brez tregoi se historia nuk i pret ata që ngurrojnë dhe mundësitë e humbura shpesh shndërrohen në pasoja që i bartin brezat e mëvonshëm. Në vitin 1908 shqiptarët vendosën se si do ta shkruajnë gjuhën e tyre.”, – theksoi drejtori i Muzeut të Alfabetit në Manastir, Nuer Asllani.

Profesorët universitarë, Ajten Qamili dhe Asllan Hamiti, u fokusuan te librat shkollore, përkatësisht problematikat e përkthimit.

“Jam vet pjesëmarrëse tek hartuesit e programeve. Kam qenë edhe recensuese e librave apo edhe si lektore apo redaktore gjuhësore, d.m.th. kam parë që kjo është si një zinxhir që duhet të lidhet njëra me tjetrën. Nëse njëra hallkë prej tyre është e këputur, del libri jocilësor, apo në përgjithësi dëmton çështjet e arsimit.”, – u shpreh profesoresha universitare, Ajten Qamili.

“Mendoj se tekstet shkollore nuk duhet të përkthehen nga maqedonishtja në shqip. Deri më tani është një praktikë e tillë që të gjitha tekstet, përveç tekstet e gjuhës dhe letërsisë shqiptare, të gjitha tekstet po përkthehen. Përkthimi në të shumtën e rasteve ka nxjerrë në shesh disa probleme, të cilat thuajse vështirë janë të shmangshme ose të pashmangshme, sepse ka mundësi që teksti i përkthyer nga maqedonishtja në shqip të ndikohet shumë nga origjinalja.”, – deklaroi profesori universitar, Asllan Hamiti.

Njëri nga bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti, dhe ministri për Marrëdhënie mes Bashkësive, Agon Ferati, e vlerësuan si shumë të rëndësishme temën e kësaj akademie shkencore kushtuar librave shkollorë, duke u zotuar se politika do të bëjë punën e vet.

“E vlerësoj shumë përcaktimin që dita e alfabetit të këtij viti të na mbledh këtu, duke diskutuar për tekstet shkollore në vendin tonë. Kjo është një temë që e lidh drejtpërdrejt historinë tonë dhe detyrat që i kemi sot. Për një fëmijë libri shkollor është një prej takimeve të para me gjuhën e shkruar, me shkencën, me historinë dhe me mënyrën se si e kupton shoqërinë ku ai jeton. Përmes atij libri, fëmija mëson se si shprehet, si ta ndërtojë një mendim, si ta dallojë faktin nga një opinion dhe si të kërkojë shpjegim për atë që nuk e kupton. Andaj, edhe tekstet në gjuhën shqipe duhet të kalojnë nëpërmjet procesit serioz hartimi ose përkthimi, redaktimi dhe vlerësimi.”, – theksoi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

“Bashkërisht mendoj, ju ta bëni punën shkencore, publicistike, letrare. Politika të bëjë punën e vet në mbrojtje të interesave gjithmonë të shqiptarëve. Të urojmë që në periudhën e nëntorit të mendojmë për të gjitha sakrificat e rilindësve tanë dhe të mundohemi që deri diku të arrijmë suksese që ata kanë pasur në kohë shumë më të vështira seç operojmë ne tani dhe bashkërisht do të kemi vetëm ditë pozitive dhe të festojmë.”, – u shpreh ministri për Marrëdhënie mes Bashkësive, Agon Ferati.

Në këtë akademi ishin të pranishëm studiues, hulumtues dhe akademik nga vendi dhe rajoni, ndërsa e njëjta ishte pjesë e aktiviteteve të manifestimit kulturor shkencor Ditët e Alfabetit 2026, i cili organizohet tradicionalisht prej 14 deri më 22 nëntor. (Fitore Nagavci, TVM2)