KUMANOVË

Orhan Kurtishi për VLEN-in në Kumanovë: Jemi katër koordinatorë të barabartë

Njëri prej koordinatorëve të VLEN-it në Kumanovë, Orhan Kurtishi, ka folur për mënyrën e funksionimit të koalicionit në nivel lokal, duke sqaruar se nuk mban titullin e kryetarit apo të koordinatorit të vetëm, pasi drejtimi dhe koordinimi realizohen bashkërisht nga katër përfaqësues.

I ftuar në podcastin “FOL” me Nexhat Aqifin në Televizionin Festa, Kurtishi tha se bashkëpunimi ndërmjet koordinatorëve është i mirë dhe se vendimet merren në frymë të barazisë dhe mirëkuptimit.

“Unë nuk e kam ende titullin kryetar ose koordinator i vetëm, sepse ne jemi katër koordinatorë. Unë e llogaris si katër vëllezër që i çojmë punët përpara së bashku dhe jam i kënaqur me funksionimin”, deklaroi Kurtishi.

Ai sqaroi se nga koordinatorët e tjerë i është besuar edhe një përgjegjësi shtesë, që ka të bëjë me përcjelljen e kërkesave dhe problematikave të VLEN-it drejt institucioneve komunale.

“Koordinatorët e partive të tjera që e përbëjnë VLEN-in më kanë dhënë një detyrë shtesë, që të jem si një përfaqësues, apo si ai postieri që i përcjell problematikat dhe kërkesat e VLEN-it deri te Komuna ose te institucionet e tjera”, u shpreh ai.

I pyetur nga moderatori Nexhat Aqifi nëse kjo nënkupton se i është dhënë besimi për t’u prirë proceseve politike në Kumanovë, Kurtishi u përgjigj pozitivisht, por theksoi se nuk ekziston një ndarje përfundimtare e roleve.

“Faktikisht po, por nuk është se ne e kemi ndarë definitivisht se unë jam kështu apo dikush tjetër ndryshe. Ne jemi të gjithë të barabartë”, tha ai.

Kurtishi konfirmoi gjithashtu se koordinatorët bashkëpunojnë dhe përpiqen të mbajnë qëndrime të përbashkëta për çështjet që lidhen me funksionimin e koalicionit në Kumanovë. /tvfesta