Kompania e ndërtimit dhe shërbimeve “Urban ing” DOO nga Kumanova është nderuar sot me Çmimin e Nëntorit 2026 nga Komuna e Kumanovës, për kontributin e saj në projektin për ndërtimin e objektit të ri të Shkollës së Mesme “Sami Frashëri”, raporton tvfesta.mk.
Çmimi iu nda gjatë seancës solemne të Këshillit të Komunës së Kumanovës, të organizuar me rastin e 11 Nëntorit – Ditës së Çlirimit të qytetit.
Kompania “Urban ing” është vlerësuar për donacionin e dokumentacionit projektues për ndërtimin e objektit të ri dhe modern të shkollës së mesme “Sami Frashëri”, duke dhënë kontribut në krijimin e kushteve më cilësore për arsimimin e nxënësve.
Ky donacion përbën një kontribut në realizimin e projektit për objektin e ri shkollor, i cili synon përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Kumanovë.
“Urbaning” ishte një nga tri subjektet juridike që u nderuan këtë vit me Çmimin e Nëntorit, në shenjë mirënjohjeje për kontributin në zhvillimin e qytetit.
Në mesin e fituesve është edhe mjeku shqiptar Shenasi Jusufi, specialist i pediatrisë dhe neonatologjisë, themelues dhe pronar i institucionit privat shëndetësor “Alfa Medikus”.
Jusufi është nderuar për punën e tij shumëvjeçare, angazhimin e veçantë në fushën e shëndetësisë, si dhe kontributin shkencor dhe humanitar. /tvfesta

