Kreu i LSDM-së Venko Filipçe, në intervistë për Alsat, tha se partia e tij për momentin ka në fuqi vetëm vendimin për bojkotimin e grupit të punës për Kodin zgjedhor, në rast se miratohet shfuqizimi i qeverisë teknike. Ai tha se nuk ka vendim për masa të tjera, duke hedhur poshtë zërat për bojkotimin e mundshëm të Kuvendit. Filipçe shtoi se pretendimet e kryeministrit se LSDM-ja mund të bojkotoi edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë gënjeshtër dhe manipulim.
“Nëse kjo qeveri (qeveria teknike) është miratuar me konsensus dhe marrëveshje mes katër partive politike dhe garantues kanë qenë SHBA-të dhe BE-ja në 2016-tën atëherë absolutisht në këtë mënyrë shvercere s’do të lejojmë miratimin e ligjit për qeverinë.
Flitet edhe për bojkotim të Kuvendit nga ana juaj. Mendoni për këtë opsion?
Jo, për momentin nuk kemi paralajmërime të tilla. Megjithatë ne i shqyrtojmë të gjitha opsionet dhe e kemi parasysh se kemi punë me qeveri kriminele që punon kundër interesave të shtetit, që rrënon demokracinë, që vendos njerëzit e saj gjithkund, përfshirë edhe servisin publik për informim. Drejtor i TVM-së është vendosur mik i kryeministrit i cili nuk ka asnjë lidhje me mediat, që do të thotë se duan kontroll të plotë.
Kryeministri dje kur fliste për bojkot të mundshëm të Kuvendit nga ana juaj përmendi edhe bojkotimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ju këtë nuk e keni përmendur deri tani. Megjithatë, përse flet kryeministri për zgjedhje parlamentare kur kemi edhe një vit e gjysmë ose dy vite deri në zgjedhjet e ardhshme. A keni biseduar për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare?
Mirë keni konstatuar. Kjo është vetëm njëra nga gënjeshtrat në mesin e gënjeshtrave dhe defokusimeve të kryeministrit. Ai nuk ka përgjigje për asnjë çështje serioze. Në çfarë ka dhënë përgjigje për atë që po ndodh në shtet, në pjesën e Evropës, ekonomisë, në pjesën e nevojave të qytetarëve, çmimeve, standardit, thjeshtë defokus dhe ofendime.”/Alsat.mk.

