KUMANOVË

Mjeku shqiptar Shenasi Jusufi u nderua sot me Çmimin e Nëntorit 2026 në Kumanovë

Në kuadër të shënimit të 11 Nëntorit – Ditës së Çlirimit të Kumanovës, sot janë ndarë Çmimet e Nëntorit për vitin 2026, në një seancë solemne të Këshillit të Komunës së Kumanovës, raporton tvfesta.mk.

Në mesin e fituesve është edhe mjeku shqiptar Shenasi Jusufi, specialist i pediatrisë dhe neonatologjisë, themelues dhe pronar i institucionit privat shëndetësor “Alfa Medikus”.

Jusufi është nderuar për punën e tij shumëvjeçare, angazhimin e veçantë në fushën e shëndetësisë, si dhe kontributin shkencor dhe humanitar.

Gjithsej, Çmimi i Nëntorit këtë vit iu nda katër individëve dhe tri subjekteve juridike, për kontributin e tyre në zhvillimin dhe promovimin e qytetit të Kumanovës.

Përveç Shenasi Jusufit, në kategorinë e individëve u nderuan edhe gazetari sportiv Boshko Tasiq, për kontributin shumëvjeçar në gazetarinë sportive, artistja dhe pedagogia Marina Cvetanovska-Martinovska, për veprimtarinë e saj artistike, si dhe sipërmarrësja në pension Stojanka Stojkoviq, për kontributin në zhvillimin e ekonomisë lokale.

 

Në kategorinë e subjekteve juridike, çmimet iu ndanë Shoqërisë Kulturore-Artistike “Pançe Peshev”, e cila këtë vit shënon 100-vjetorin e themelimit, kompanisë së ndërtimit “Urbaning” nga Kumanova, për dhurimin e dokumentacionit projektues për ndërtimin e objektit të ri të shkollës së mesme “Sami Frashëri”, si dhe Klubit Sportiv të Kikboksit “Predator”, për sukseset në garat vendore dhe ndërkombëtare.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ndau edhe gjashtë mirënjohje për individë dhe organizata që kanë dhënë kontribut në arsim, kulturë, sport dhe veprimtari të tjera shoqërore.

Mirënjohje morën shkolla fillore “Vuk Karaxhiq”, me rastin e 80-vjetorit të veprimtarisë arsimore, Dejan Ilievski për angazhimin shumëvjeçar në njësinë territoriale të zjarrfikësve, si dhe Shoqata e Bjeshkatarisë dhe Mbrojtjes së Malit “Kozjak 2013”.

Mirënjohje pas vdekjes iu ndanë edhe muzikantit dhe pedagogut Filip Stevanovski, sportistes Jasmina Goluboviq dhe profesorit të edukimit fizik Dimitar Antevski, për kontributin e tyre në kulturë dhe sport.

Ceremonia solemne u organizua me rastin e Ditës së Çlirimit të Kumanovës, duke vlerësuar individët dhe institucionet që kanë kontribuar ndër vite në zhvillimin e qytetit. /tvfesta
May be an image of one or more people

May be an image of text