Përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut vazhdon të mbetet një sfidë e madhe, ndërsa problemi kryesor shpesh buron nga vetë zyrtarët dhe udhëheqësit shqiptarë që lejojnë anashkalimin e saj. Kështu deklaroi deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Rijad Shaqiri, gjatë një interviste në Podcastin me Nexhat Aqifin në Televizionin Festa.
Duke analizuar situatën nga aspekti juridik dhe praktik, Shaqiri theksoi se Kushtetuta dhe amendamentet përkatëse janë të qarta, por mosrespektimi i tyre përbën një goditje ndaj shtetit ligjor.
Sipas tij, ndonëse gjuha shqipe ka gjetur hapësirë zbatimi në të kaluarën duke sjellë si shembull përvojën e tij personale në administratën doganore ku vetë ka përkthyer vulat në shqip zbatimi praktik në institucioni vazhdon të çedojë.
Si shembull konkret të këtij moszbatimi, deputeti Shaqiri solli rastin e vetë Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Ai tregoi se kur viziton faqen zyrtare të Kuvendit dhe zgjedh gjuhën shqipe, titujt e komisioneve dhe trupave punuese shfaqen në shqip, por sapo klikohet brenda për të parë rendin e ditës, dokumentet dhe pikat shfaqen ekskluzivisht në gjuhën maqedonase.
”Ne po kemi probleme edhe me institucionet që udhëhiqen nga shqiptarët. Dokumentet dhe shkresat drejtohen dhe pranohen maqedonisht,” u shpreh Shaqiri.
Duke hedhur dritë mbi përgjegjësinë e kësaj situate, deputeti i Aleancës për Shqiptarët u tregua i prerë se fajësia nuk duhet kërkuar te kryetari i Parlamentit apo palët e tjera, por te vetë kuadrot shqiptare që drejtojnë institucionet.
Sipas tij, përderisa drejtuesit shqiptarë lejojnë që t’u imponohet një standard i tillë dhe nuk kërkojnë respektimin e plotë të gjuhës zyrtare, defekti qëndron brenda vetë shtëpisë. /tvfesta

