KUMANOVË

“Kumanovo-Gaz” me 4.5 milionë denarë humbje Huzeir Mustafi: Deri kur me arsyetimin e borxheve të trashëguara?

Në kuadër të seancës së 17-të të Këshillit Komunal të Kumanovës, këshilltari nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Huzeir Mustafi, ka drejtuar kritika dhe pyetje konkrete ndaj drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Kumanovo-Gaz”, Marko Mitrovski, lidhur me gjendjen financiare dhe funksionimin e kësaj ndërmarrjeje, informon tvfesta.mk.

Duke analizuar raportin financiar të dorëzuar nga ndërmarrja, Mustafi potencoi se edhe pse ka një rritje të lehtë të të ardhurave gjatë vitit 2025 në krahasim me vitin 2024 (nga 29.7 milionë denarë në 37.9 milionë denarë), rritja me rreth 19.9% e shpenzimeve bën që ndërmarrja të vazhdojë të punojë me humbje financiare prej mbi 4.5 milionë denarësh.

“Edhe pse ndërmarrja ka rritur ndjeshëm të ardhurat dhe ka ulur humbjen, megjithatë prapë problemi kryesor mbetet se shpenzimet vazhdojnë t’i kalojnë të ardhurat dhe ndërmarrja punon me humbje,” deklaroi Mustafi gjatë fjalës së tij në këshill, përcjellë tvfesta.mk.

Më tej, këshilltari Mustafi kërkoi nga drejtori Mitrovski një plan të qartë dhe strategji afatgjatë për dalje nga kjo situatë recidive financiare, duke bërë thirrje që t’i jepet fund logjikës së arsyetimeve me borxhet e trashëguara.

“Më intereson një pyetje shumë konkrete: pasi tani keni një përvojë të gjatë si drejtor, a shihni një strategji afatgjatë që përfundimisht kjo ndërmarrje t’i drejtohet Këshillit me rezultat pozitiv? Jemi mësuar ta dëgjojmë refrenin e njëjtë nga të gjithë drejtorët për borxhe të trashëguara dhe gjendje të rëndë ekonomike. Akoma nuk kemi parë një plan apo propozim komplet nga një drejtor që të na japë shpresë se një ditë do të shohim rezultat pozitiv dhe të gjithë ta votojmë me dëshirë,” përfundoi Mustafi, njofton tvfesta.mk.