KUMANOVË

Blerim Hyseni: Të diskriminuar të gjallë, të diskriminuar edhe në vdekje

Gjendja e rënduar me mbeturinat dhe alokimi i mjeteve financiare në Ndërmarrjen Publike “Pastrimi dhe Gjelbërimi” në Kumanovë kanë nxitur reagime të ashpra në mbledhjen e fundit të Këshillit Komunal. Këshilltari nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Blerim Hyseni, ka drejtuar kritika të hapura ndaj ushtruesit të detyrës drejtor i kësaj ndërmarrjeje, Sasho Tomiq, raporton tvfesta.mk

Gjatë fjalës së tij, Hyseni vuri në dukje se menaxhimi i ndërmarrjes nga ana e Tomiqit po shihet si një dështim i madh nga opinioni publik, duke potencuar nivelin e lartë të papastërtisë dhe erën e keqe që ka kapluar qytetin.

“Qyteti i Kumanovës kurrë nuk ka qenë më i papastër. Era e keqe që vjen nga pikat e grumbullimit të mbeturinave të bën të ndihesh turp se ku po jeton. Qyteti flet për punën e ndërmarrjes suaj dhe ju, si njeriu i parë i saj, shiheni si fajtori kryesor për këtë gjendje,” u shpreh Hyseni, përcjell tvfesta.mk

Përveç problemit me menaxhimin e mbeturinave, fokus i veçantë i reagimit të këshilltarit shqiptar ishte edhe ndarja selektive e buxhetit për investime në varreza, duke akuzuar udhëheqësinë e ndërmarrjes dhe shumicën komunale për diskriminim me bazë fetare.

“Për opinionin kumanovar ka qenë një lajm mjaft i keq investimi prej 600 mijë eurove për morgun në varrezat ortodokse, ndërkohë që për varrezat e qytetarëve të përkatësisë fetare islame nuk investohet asnjë cent. Kur kësaj shume të madhe i shtohet paaftësia për të mbajtur qytetin pastër, krijohet një diskrepancë që përjetohet shumë keq nga qytetarët,” deklaroi ai.

Hyseni përfundoi fjalimin e tij duke cituar shqetësimet e qytetarëve që po qarkullojnë në rrjetet sociale, sipas të cilëve pabarazia në Kumanovë ka kaluar çdo kufi.

“Kam lexuar në rrjetet sociale reagime ku thuhet: ‘Nëse deri dje po diskriminoheshim pse jemi të gjallë, tani po diskriminohemi edhe të vdekur’. Ju, së bashku me shumicën që keni këtu, jeni drejtpërdrejt përgjegjës për këtë realitet,” përfundoi Hyseni.