Një situatë e pazakontë dhe e tensionuar ka kapluar Gjykatën Themelore të Kumanovës. Të punësuarit dhe pjesëtarët e sindikatës së kësaj gjykate kanë dalë në protestë publike për të ngritur zërin kundër sjelljeve të pahijshme dhe presionit sistematik nga kryetarja e gjykatës, Snezhana Maneva, njofton Tv Festa.
Sipas sindikalistëve, prej vitesh punonjësit përballen me një atmosferë linçuese, ndërsa veçanërisht janë shënjestruar gjyqtarët dhe punonjësit shqiptarë përmes fyerjeve me prapavijë etnike dhe fetare.
Kryetari i Sindikatës së UPOZ-it, Tërpe Dejanovski, gjatë fjalës së tij ka zbardhur disa nga fyerjet me të cilat përballen çdo ditë punonjësit e këtij institucioni të drejtësisë.
„Të marrë, kafshë, asgjë nuk dini, do t’ju djegë, do t’ju shkelë. Së pari do t’ju mbys, e pastaj do ta lë punën. Ju nga kjo gjykatë mund të shkoni vetëm me ndihmën e shpejtë… Këto fyerje tashmë disa vite i durojnë të punësuarit e Gjyqit Themelor në Kumanovë nga kryetarja Snezhana Maneva. Ajo i fyen të punësuarit edhe në baza nacionale e fetare, sidomos shqiptarët. Kjo është cekur edhe në raportin e Këshillit Gjyqësor të vitit 2023, ku njihet për përçarje, ndërsa gjyqtarët shqiptarë i ofendon si të marrë, budallenj dhe të paaftë“, deklaroi Dejanovski, raporton gazetari i TVM2, Fatlum Aqifi.
Reagon kryetarja Maneva: Akuzat janë të pavërteta
Lidhur me protestën dhe akuzat e rënda të sindikalistëve, kryetarja e Gjykatës Themelore të Kumanovës, Snezhana Maneva, ka reaguar përmes një komunikate me shkrim, duke i hedhur poshtë pretendimet e punonjësve.
„Të theksuarit në protestën e sotme të Sindikatës se atmosfera e punës është çrregulluar nga ana ime me masa dhe sjellje joligjore ndaj të punësuarve, kinse janë joligjore dhe se kanë shkaktuar frikë e shqetësim, tërësisht janë të pasakta dhe të pavërteta“, thuhet në reagimin e Manevës.
Ajo ka insistuar se udhëheqjen e gjykatës e bën në përputhje të plotë me rregullat pozitive ligjore, Ligjin për Shërbim Gjyqësor dhe aktet e tjera normative që rregullojnë funksionimin e këtij institucioni.
Përkundër kësaj, sindikata paralajmëron se reagimet do të vazhdojnë deri në vendosjen e rendit ligjor dhe respektit ndaj dinjitetit të punonjësve në Gjykatën e Kumanovës.

