Një thirrje humanitare po qarkullon së fundmi për të ndihmuar Bekim Shabanin, 45-vjeçarin nga Kumanova, gjendja shëndetësore e të cilit është rënduar së tepërmi dhe ka nevojë urgjente për transplantim të mëlçisë, njofton Tv Festa.
Bekimi është një person që tërë jetën ia ka kushtuar kujdesit ndaj të tjerëve. Si vëlla medicinal në spital, ai ka shërbyer çdo ditë për pacientët, ndërsa me një rrogë të vetme ka punuar pa u ndalur për t’i rritur dhe siguruar të ardhmen pesë djemve të tij të vegjël.
Sot, rolet janë ndërruar dhe është vetë Bekimi ai që ka nevojë për ndihmën e qytetarëve dhe njerëzve me zemër të mirë.
Pas ekzaminimeve mjekësore të kryera në spitalin İstinye University Medical Park Gaziosmanpaşa në Stamboll të Turqisë, ekipi specialist ka konstatuar se transplantimi i mëlçisë është i nevojshëm dhe duhet të realizohet sa më parë. Kostoja e parashikuar për këtë ndërhyrje jetike është 55.000 euro, një shumë e papërballueshme për familjen Shabani.
„Bekimi ka punuar vetë në spital si vëlla medicinal, duke u kujdesur çdo ditë për njerëzit që kishin nevojë. Sot është ai që ka nevojë për ne. Çdo donacion, pavarësisht shumës, na afron me qëllimin tonë. Le të bashkohemi që një baba të ketë mundësinë të marrë trajtimin dhe të kthehet pranë pesë djemve të tij“, thuhet në thirrjen e organizuar nga kushëriri i tij, Mensur Shabani, raporton tvfesta.mk.
Organizatorët e fushatës apelojnë te të gjithë ata që kanë mundësi financiare të kontribuojnë, ndërsa ata që nuk munden, të ndihmojnë me shpërndarjen e këtij njoftimi në mënyrë që thirrja të arrijë te sa më shumë humanistë.
Sapo të sigurohen fondet e nevojshme, Bekimi do të udhëtojë menjëherë drejt Turqisë për t’iu nënshtruar operacionit.

