Fundi i Open Ballkanit: Fillimi i Shqipërisë Evropiane…
Shkruan: Halil Krasniqi
Open Ballkani ishte fillimi i fundit i politikave që synonin rritjen e ndikimit në trevat shqiptare. Në këtë këndvështrim, ai nuk ishte thjesht një projekt ekonomik, por një nismë me prapavijë gjeopolitike, e lidhur me politikën pansllave të Moskës, e cila synonte të zgjerohej në Ballkan përmes Serbisë. Për shumë shqiptarë, ky projekt u perceptua si një përpjekje për të forcuar ndikimin politik, ekonomik dhe institucional të Serbisë ndaj Kosovës dhe Shqipërisë. Pikërisht këtu, politika e Shqipërisë bëri një gabim të rëndë, pasojat e të cilit po ndihen edhe sot. Megjithatë, shqiptarët kanë dëshmuar se janë një popull me orientim të qartë perëndimor dhe euroatlantik. Projektet që bien ndesh me këtë orientim nuk mund të mbijetojnë, ndërsa ata që i promovuan do të mbeten pjesë e historisë.
Që në fillim, politika kosovare e refuzoi këtë nismë, duke vlerësuar se rruga e saj strategjike nuk kalon përmes projekteve rajonale të udhëhequra nga Beogradi, por përmes integrimit në Bashkimin Evropian, partneritetit të përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët euroatlantikë. Politika e Kosovës ka qenë e qartë: aty ku është Serbia, Kosova zgjedh vlerat perëndimore, demokracinë, sovranitetin dhe integrimin euroatlantik si rrugën e vetme dhe më të sigurt për të ardhmen e saj. Koha dëshmoi se ky ishte vendimi i duhur.
Sot po jetojmë në një kohë kur rendi politik në Evropë dhe në botë po ndryshon. Në shumë shtete qytetarët po kërkojnë më shumë demokraci, transparencë, përgjegjësi dhe institucione që punojnë për interesin publik. Asnjë pushtet nuk është i përjetshëm kur largohet nga vullneti i qytetarëve.
Edhe Shqipëria ndodhet përballë një momenti të rëndësishëm. Pas dekadash tranzicioni, po dëgjohet gjithnjë e më fuqishëm zëri i studentëve, i rinisë dhe i qytetarëve që kërkojnë një shtet me drejtësi, përgjegjësi, transparencë dhe institucione të forta. Protestat paqësore janë shprehja më e mirë e demokracisë dhe tregojnë se një brez i ri nuk është më i gatshëm të pranojë korrupsionin, padrejtësinë dhe mungesën e perspektivës.
Shqipëria ka nevojë për një politikë që vendos interesin kombëtar mbi interesin partiak, që forcon shtetin ligjor, lufton korrupsionin pa kompromis dhe krijon mundësi për të rinjtë. Një shtet ku askush nuk detyrohet të largohet për të ndërtuar jetën diku tjetër, por gjen shpresë dhe perspektivë në vendin e vet.
E ardhmja e shqiptarëve nuk ndërtohet mbi projekte që krijojnë varësi politike apo ekonomike, por mbi partneritetin me botën demokratike, mbi vlerat euroatlantike dhe mbi bashkëpunimin me aleatët strategjikë. Vetëm kështu mbrohen interesat kombëtare dhe ndërtohet një shtet i fortë, modern dhe dinjitoz.
Shqipëria evropiane po bëhet realitet. Këtë e shohim te brezi i ri që po mbush bulevardet dhe sheshet, me zërin, idealet dhe kërkesën e tij për ndryshim. Ky brez përfaqëson shpresën për një Shqipëri moderne, demokratike, të zhvilluar dhe plotësisht të orientuar drejt Perëndimit. E ardhmja u takon të rinjve që besojnë te liria, demokracia, drejtësia dhe shteti i së drejtës. Kjo është Shqipëria e re që po lind dhe kjo është Shqipëria Evropiane që po bëhet realitet.
Politika e tri dekadave në Shqipëri po shembet, ndërsa po vjen në shprehje një model i ri i të bërit politikë, i ndërtuar mbi përgjegjësinë, transparencën, orientimin euroatlantik dhe mbrojtjen e interesit kombëtar…

