MAQEDONI

Dullovi: VLEN në rolin e 1989-ës!

Gazetari dhe botuesi i gazetës KOHA, Lirim Dullovi, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve që lidhen me statusin e gjuhës shqipe dhe Marrëveshjen e Ohrit, duke tërhequr paralele të forta historike me zhbërjen e autonomisë së Kosovës në vitin 1989.

Në një status kritik, Dullovi vlerëson se as Marrëveshja e Ohrit dhe as autonomia e Kosovës e vitit 1974 nuk përfaqësonin maksimumin e aspiratave shqiptare, por ishin, siç shprehet ai, “minimumi juridik e politik i fituar në rrethana të caktuara historike”, ndaj sipas tij, cenimi i tyre përbën akt me pasoja historike.

Statusi i plotë i gazetarit Lirim Dullovi:

As Marrëveshja e Ohrit, as autonomia e Kosovës e vitit 1974 nuk përfaqësonin idealin apo vullnetin maksimal të shqiptarëve. Por të dyja ishin minimumi juridik e politik i fituar në rrethana të caktuara historike.

Dhe, nëse historiografia shqiptare s’ka dilemë se Rahman Morina, Sinan Hasani, Hysamedin Azemi e Ali Shukriu mbetën në anën e tradhtisë, sepse ndihmuan në zhbërjen e asaj autonomie të pamjaftueshme të Kosovës, atëherë si mendojnë se do të gjykohen ndryshe këta të VLEN-it, që sot po ndihmojnë në zhbërjen e një Marrëveshjeje po aq të pamjaftueshme të Ohrit?

Gjuha shqipe, 20-përqindëshi, balancuesi – a u korrigjua ndonjëra prej këtyre çështjeve në të mirë gjatë këtyre dy viteve sa janë në pushtet?

Natyrisht se jo. Po ndodh e kundërta, sikur të ishte reprizë e vitit 1989 në Kosovë.

Sulmet e fundit ndaj gjuhës shqipe, që vijnë pikërisht nga njerëz që dikur krenoheshin me ligjet që sot i relativizojnë, kanë vetëm një qëllim: ta krijojnë narrativën para goditjes finale.

Kur Gjykata kushtetuese ta shfuqizojë ligjin aktual për përdorimin e gjuhës shqipe, këta vazalë të VLEN-it do të dalin para shqiptarëve dhe do t’u thonë: “Mos u shqetësoni, s’u bë nami. Edhe ashtu, ligj për gjuhën shqipe nuk kishte”.