Në Bonn, në ambientet historike të Old Townhouse, Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali mori pjesë në pritjen solemne të organizuar në kuadër të partneritetit ndërmjet Landit të Nordrhein-Westfalen dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku ishte i pranishëm edhe Kryetari i Bonn-it.
Së bashku me Kryetarin e Bonn-it, Ministrin për Çështje Evropiane të Nordrhein-Westfalen, Nathanael Liminski, si dhe Ambasadorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Prof. Dr. Ylber Sela, Bekim Sali rikonfirmoi përkushtimin për thellimin e këtij bashkëpunimi të rëndësishëm.
Në fjalimin e tij, Sali, theksoi se ky partneritet pesëvjeçar nuk është thjesht një marrëveshje, por një vizion i përbashkët për një bashkëpunim më të fortë, konkret dhe të orientuar drejt rezultateve. Nordrhein-Westfalen, si një nga rajonet më të fuqishme ekonomike në Evropë, përfaqëson një partner strategjik për vendin tonë.
Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit ekonomik, inovacionit, arsimit, kulturës dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke hapur mundësi të reja për bizneset, institucionet dhe qytetarët tanë. Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, nënvizoi se ekziston ende potencial i madh i pashfrytëzuar, sidomos në nivel rajonal, për të rritur investimet dhe shkëmbimet ndërmjet dy vendeve.
Po ashtu, ai, theksoi se ky partneritet është mbi të gjitha për qytetarët, për të rinjtë, studentët dhe profesionistët, duke forcuar lidhjet ndërmjet shoqërive tona dhe duke ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi, si dhe duke mbështetur rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian.
Një falënderim i veçantë për Ambasadorin z. Ylber Sela për përkushtimin dhe kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona.
Mbrëmja u përmbyll me një performancë të jashtëzakonshme të Filarmonisë së Shkupit në Beethoven Hall, duke e bërë këtë ngjarje një ndërthurje të veçantë të diplomacisë dhe kulturës.

