Ndërmarrja Publike “Vodovod” Kumanovë u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos hedhin mbeturina në rrjetin e kanalizimit, duke paralajmëruar se materiale të tilla shkaktojnë bllokime serioze dhe dëmtime të sistemit, raporton tvfesta.mk.
Përmes një njoftimi publik, ndërmarrja apelon për përgjegjësi dhe ndërgjegjësim më të madh nga qytetarët, duke theksuar se hedhja e pecetave të lagura, pelenave, plastikës dhe mbeturinave të tjera të papërshtatshme në kanalizim krijon probleme të mëdha në funksionimin e rrjetit.
“Kanalizimi nuk është shportë mbeturinash! U bëjmë apel të sinqertë të gjithë qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi maksimale dhe të mos hedhin peceta të lagura, pelena, plastikë dhe mbeturina të tjera në rrjetin e kanalizimit. Këto materiale nuk shpërbëhen dhe krijojnë bllokime që shkaktojnë avari serioze”, thuhet në njoftimin e NP “Vodovod” Kumanovë.
Siç informon tvfesta, nga ndërmarrja theksojnë se ekipet e tyre janë vazhdimisht në terren, 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë, për të intervenuar në rastet e defekteve dhe bllokimeve të kanalizimit.
Sipas tyre, punonjësit shpesh detyrohen të punojnë për orë të tëra, madje edhe gjatë mesnatës, duke përdorur të gjitha mjetet dhe makineritë në dispozicion për të rikthyer funksionimin normal të sistemit.
Në fund, NP “Vodovod” Kumanovë u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë punën e punonjësve që kujdesen për mirëmbajtjen e rrjetit dhe të kontribuojnë në ruajtjen e infrastrukturës së përbashkët.
“Ta respektojmë mundin e punonjësve që kujdesen ditë e natë që sistemi të funksionojë pa probleme. Ta ruajmë së bashku infrastrukturën tonë!”, përfundon apeli i ndërmarrjes. /tvfesta

