Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar vendimin për formimin e Komitetit nacional për mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve, me synim krijimin e një mjedisi më të sigurt për ushtrimin e gazetarisë së lirë dhe të pavarur.
Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësja e Qeverisë, Venera Latifi Azizi e cila theksoi rëndësinë e mbrojtjes së gazetarëve nga kërcënimet, sulmet dhe presionet gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.
Komiteti nacional do të fokusohet në forcimin e mekanizmave për sigurinë e gazetarëve, përmirësimin e hetimit të rasteve të sulmeve dhe luftimin e mosndëshkimit.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe mbrojtjes nga dhuna digjitale dhe paditë abuzive SLAPP, të cilat përdoren për të frikësuar dhe penguar gazetarët në punën e tyre.
Në kuadër të këtij procesi, Komiteti do të përgatisë edhe Planin nacional të veprimit për periudhën 2027–2029, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës.
“Gazetarët duhet të kenë lirinë të bëjnë pyetje, të hulumtojnë dhe të kritikojnë pa frikë dhe pa presion. Sepse mbrojtja e gazetarëve është mbrojtje e së vërtetës, transparencës dhe demokracisë”, ka thënë zëdhënësja Azizi.

