MAQEDONI

Ministri Hoxha prezanton pesë module për digjitalizimin: Më shumë transparencë dhe më pak pengesa administrative

Ministri i Mjedisit Jetësor, Muhamet Hoxha, prezantoi në konferencë për media pesë modulet e iniciativës “Kthesa e gjelbër përmes digjitalizimit”, që synon rritjen e transparencës, thjeshtimin e procedurave administrative dhe përmirësimin e menaxhimit të të dhënave mjedisore.

Hoxha theksoi se digjitalizimi është instrument për transparencë, llogaridhënie dhe institucione më efikase.

Në kuadër të iniciativës, moduli “Themelet” parashikon qasje publike në informacionet për projektet e Ministrisë, përfshirë kostot, afatet kohore dhe burimet e financimit. Moduli “Digjitalizimi i brendshëm” përfshin arkivin digjital dhe ndjekjen elektronike të lëndëve, me synim rritjen e efikasitetit dhe transparencës institucionale.

Përmes modulit “Koha” synohet thjeshtimi i procedurave administrative dhe zvogëlimi i obligimeve për qytetarët. Ndërkaq, moduli “Toka” përqendrohet në hartëzimin e deponive ilegale dhe planifikimin më të mirë të pastrimit të tyre.

Përmes modulit “Koha” synohet thjeshtimi i procedurave administrative dhe zvogëlimi i obligimeve për qytetarët. Ndërkaq, moduli “Toka” përqendrohet në hartëzimin e deponive ilegale dhe planifikimin më të mirë të pastrimit të tyre.

Moduli i pestë, “Ajri”, parashikon një regjistër digjital me të dhëna për emetimet nga instalimet që posedojnë leje ekologjike të integruara të kategorisë A.

Sipas ministrit, qëllimi është të sigurohen më shumë informacione të qasshme, më pak pengesa administrative dhe më shumë përgjegjësi në mbrojtjen e mjedisit jetësor.

“Ne nuk ofrojmë reforma kozmetike. Po ndërtojmë një sistem që sjell ndryshime thelbësore në mbrojtjen e mjedisit jetësor”, deklaroi Hoxha.