
Pas përfundimit të mbledhjes së rregullt të shtabit të krizës, ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Taravari, në një deklaratë për mediat informoi se aktualisht 54 pacientë po trajtohen në Shkup, nga të cilët 27 janë në qendrën klinike, 11 në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori” dhe 10 në Klinikën e Kirurgjisë “Shën Naum Ohri”, ndërsa në klinikat private ndodhen 6 pacientë.
Të gjithë janë në gjendje stabile dhe të mirë.
Jashtë vendit po trajtohen 115 pacientë, nga të cilët 6 janë në gjendje më kritike, ndërsa një paciente është paraqitur vetë në Bullgari. Katër pacientë me lëndime më serioze po trajtohen në VMA në Beograd dhe dy të tjerë në Lubjanë.
Një pjesë e pacientëve jashtë vendit, të cilët kanë shënuar përmirësim, pritet që gjatë javës së ardhshme të kthehen në vend.
•Lajmi i mirë është se, nëse fillimisht thashë se rreth 20 pacientë ishin në gjendje shumë kritike, tani janë 6 në gjendje më kritike. Shpresojmë që ky numër të mos rritet me raste të reja, pra të mos ketë komplikime.
Gjatë javës së ardhshme është planifikuar lirimi i pacientëve të parë: një nga Italia dhe Suedia dhe nga dy pacientë nga Austria dhe Spanja. Për vazhdimin e trajtimit të tyre në vend po përgatiten protokolle të veçanta, të cilat do të publikohen së shpejti.
Në përgjithësi, bëhet fjalë për pacientë me djegie në lëkurë dhe rrugët e frymëmarrjes, si dhe disa me fraktura. Gjithashtu, janë paraqitur edhe 6 pacientë të rinj në Klinikën e Toksikologjisë dhe janë në proces triazhimi, informoi ministri Taravari.