OPINIONE

TA RUAJMË GJUHËN SHQIPE, QË TË MOS HUMBASIM IDENTITETIN

Shkruan: Etem Xheladini

Gjuha shqipe është më shumë se një mjet komunikimi: është themeli i identitetit tonë kombëtar.

Por sot ajo po përballet me sfida serioze, veçanërisht në diasporë dhe në trojet shqiptare jashtë Shqipërisë e Kosovës. Në shumë vende të Europës, gjithnjë e më pak fëmijë shqiptarë ndjekin mësimin e gjuhës shqipe. Shumë prej tyre, edhe kur kthehen në vendlindje, e kanë të vështirë të komunikojnë lirshëm me gjyshërit e të afërmit. Gjermanishtja, anglishtja, italishtja apo gjuhë të tjera po bëhen gjuhët e tyre të përditshme, ndërsa shqipja rrezikon të mbetet vetëm një kujtim familjar.

Shqetësuese është gjendja edhe në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi, ku përdorimi dhe zbatimi praktik i gjuhës shqipe ende përballet me pengesa dhe mangësi, e sidomos në institucione nuk po gjenë zbatim.
Ku është përgjegjësia jonë, si mund të lejojmë që gjuha për të cilën breza të tërë mësuesish, arsimtarësh e atdhetarësh sakrifikuan, të neglizhohet sot. Ata që na e ruajtën shqipen në kohët më të vështira nuk kërkuan asgjë për vete. Ata sakrifikuan që ne të kishim të drejtën të flisnim, shkruanim dhe mësonim në gjuhën tonë. Prandaj, apeli im është i qartë, prindër shqiptarë, mësojini fëmijët tuaj shqip fliteni shqipen në familje! Dërgojini në shkollat ku gjuha shqipe mësohet po qoftë edhe si lënd fakultative.

Dhe një thirrje për politikëbërësit shqiptarë, kudo që janë, ruajtja e gjuhës shqipe nuk është luks kulturor, por përgjegjësi kombëtare. Mbështetja e shkollave shqipe në diasporë dhe garantimi i arsimit cilësor në shqip në trojet shqiptare duhet të jenë përparësi.

Sepse një komb mund të humbasë shumë gjëra dhe të ringrihet përsëri. Por nëse humb gjuhën, rrezikon të humbasë edhe një pjesë të vetvetes.
Ta ruajmë shqipen, ta flasim, ta mësojmë. Ta përcjellim te brezat që vijnë.