Shkruan: Prof. Etem Xheladini
Ka ardhur koha që historia jonë të dalë nga hija e interpretimeve ideologjike dhe të shkruhet mbi bazën e fakteve, dokumenteve, dëshmive dhe meritave të atyre që, në dekada e shekuj, sakrifikuan për çështjen kombëtare shqiptare.
Historia nuk mund të jetë pronë e një ideologjie, e një sistemi politik apo e një grupi të caktuar. Ajo është kujtesa e një kombi dhe, si e tillë, duhet t’u përkasë të gjithëve. Sidomos atyre burrave e grave që, shpesh në rrethana të jashtëzakonshme, paguan çmim të lartë për gjuhën, arsimin, identitetin dhe lirinë kombëtare.
Arkivat, dokumentet dhe studimet e shumta, si në vendin tonë, ashtu edhe në arkive me rëndësi ndërkombëtare, po sjellin gjithnjë e më shumë dëshmi se çështja kombëtare shqiptare është penguar, shtrembëruar dhe anashkaluar në periudha të ndryshme historike. Për dekada, interpretimi zyrtar i historisë u ndikua fuqishëm nga ideologjia e sistemit komunist dhe nga politikat që shpesh nuk i trajtuan me drejtësi figurat dhe lëvizjet me karakter kombëtar shqiptar.
Prandaj, sot nuk duhet të kemi frikë nga e vërteta. Përkundrazi, duhet ta kërkojmë, ta dokumentojmë dhe ta vendosim në vendin që meriton. Nuk është fjala për të fshirë historinë, por për ta çliruar historinë nga njëanshmëria. Nuk është fjala për të zëvendësuar një ideologji me një tjetër, por për t’u kthyer te dokumenti, te dëshmia, te kontributi dhe te sakrifica njerëzore. Brezat e rinj kanë të drejtë ta njohin historinë e tyre pa filtra politikë dhe pa paragjykime ideologjike. Ata duhet të mësojnë për të gjithë ata që kontribuan në mbrojtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar shqiptar, pavarësisht se cilës periudhë, organizimi apo rryme i përkisnin.
Është koha të hapet me seriozitet edhe çështja e rehabilitimit historik të forcave dhe personaliteteve shqiptare të cilat për dekada u trajtuan si “armiq”, “reaksionarë” apo “radikalë” nga sistemet politike të kohës. Në këtë kontekst, duhet të rishikohen mbi baza shkencore kontributet e organizimeve dhe figurave të tilla si NDSH-ja, Balli Kombëtar dhe shumë veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare, pa paragjykime dhe pa etiketime të trashëguara nga propaganda e dikurshme.
Ndërkohë, në hapësirat e tjera të ish-Jugosllavisë, ndryshimet politike pas rënies së sistemit monist sollën edhe procese të rehabilitimit dhe rivlerësimit të figurave e lëvizjeve që më parë ishin shpallur armiqësore.
Shqiptarët nuk mund të mbeten peng i një historie të shkruar vetëm nga të tjerët. Një kapitull i veçantë i kësaj historie është arsimi në gjuhën shqipe. Për shqiptarët, shkolla shqipe nuk ka qenë vetëm institucion arsimor, ajo ka qenë një nga shtyllat kryesore të ruajtjes së identitetit kombëtar.
Edhe në periudhën e sistemit komunist, arsimi shqip u përball me kufizime dhe pengesa të ndryshme. Sidomos gjatë viteve “80” e “90”në disa treva shqiptare u ndërmorën politika që prekën drejtpërdrejt zhvillimin e arsimit të mesëm dhe të lartë në gjuhën shqipe. Kumanova jonë është një nga rastet që kërkon të studiohet me kujdes, dokumente dhe dëshmi të sakta. Pikërisht për këtë arsye, përvoja ime si autor dhe dëshmitar i një pjese të këtyre zhvillimeve më ka shtyrë të dokumentoj këtë histori. Botimet e mia “Arsimi S’duron Nënshtrim” dhe “Lufta Jonë për Arsimin Shqip”, të botuara përkatësisht në vitet 2012 dhe 2016, janë pjesë e kësaj përpjekjeje për të ruajtur kujtesën dhe për t’ua përcjellë brezave përvojat, sakrificat dhe betejat e atyre që punuan për arsimin shqip në mënyrë të dokumentuar.
Mirënjohje e veçantë u takon edhe studiuesve dhe autorëve që kanë kontribuar në ndriçimin e këtyre kapitujve. Botimet e Dr. Sevdail Demirit për Sulë Hotlën, si dhe Mr.Tefik Jahiut që hulumtoi për të njejtën figurl, studimi i Dr. Minir Ademit për arsimin në periudhën 1945–1995, si dhe punimet e studiuesve të tjerë, ndër ta Dr. Naim Alimi dhe Dr. Ramiz Abdili, po pse mos ti kemi parasysh hulumtimet e dokumentuara dhe botimet e Dr.Vebi Xhemailt e Elena Kosaqi, që përbëjnë kontribute të çmuara në dokumentimin e së kaluarës sonë.
Këtyre studiuesve, por edhe shumë veprimtarëve, mësuesve, intelektualëve, prindërve, nxënësve dhe qytetarëve të thjeshtë që ndër dekada e shekuj nuk u pajtuan me nënshtrimin, u takon mirënjohja e një kombi të tërë. Ata nuk duhet të kujtohen vetëm në përvjetorë. Nuk duhet të përmenden vetëm në fjalime. Kontributi i tyre duhet të dokumentohet, të studiohet dhe të mësohet në shkolla e universitete. Sot, kur shqiptarët kanë institucione arsimore nga niveli parashkollor deri te universitetet dhe akademitë shkencore, nuk duhet të harrojmë se kjo e arritur nuk erdhi vetvetiu. Pas saj qëndrojnë breza të tërë njerëzish që punuan, sakrifikuan, u përballën me presione dhe, në shumë raste, paguan çmim personal e familjar për një të drejtë që sot na duket e natyrshme, të mësojmë dhe të jetojmë në gjuhën tonë. Prandaj, historia duhet të shkruhet me respekt për të gjithë ata që kontribuan. Jo për hakmarrje ndaj së kaluarës, jo për të krijuar mite të reja.
Por për të vendosur të vërtetën mbi dokumentin, meritën mbi propagandën dhe kujtesën kombëtare mbi harresën. Brezat e rinj nuk kanë nevojë për një histori të zbukuruar. Ata kanë nevojë për një histori të vërtetë. Dhe historia e vërtetë, sado e dhimbshme të jetë, na bën më të fortë si shoqëri dhe më të ndërgjegjshëm si komb.
Është koha që secili kontribues i kauzës kombëtare të marrë vendin që i takon. Është koha që historia shqiptare të shkruhet drejt. Për të rënët, për të sakrifikuarit. Për mësuesit, për intelektualët, për veprimtarët. Për të gjithë ata që nuk u dorëzuan.
Prof.Etem Xheladini

