RAJON & BOTA

Dauti: Më shumë koordinim, më pak pritje dhe kufij më të sigurt mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës

Mustafa Dauti ka zhvilluar sot një takim bilateral me drejtorin dhe drejtues të tjerë të Doganës së Kosovës, në kuadër të vazhdimit dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy administratave doganore.

Në fokus të takimit ishte funksionimi i One Stop Shop në Bllacë – Hani i Elezit, ku u diskutua për mundësitë e përmirësimit të koordinimit dhe shkëmbimit më të shpejtë të të dhënave, me qëllim lehtësimin e qarkullimit të mallrave dhe udhëtarëve.

Dauti bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar gjithashtu për digjitalizimin e proceseve doganore, përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe forcimin e bashkëpunimit në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit ndërkufitar.

Sipas tij, bashkëpunimi ndërmjet dy administratave duhet të reflektohet në rezultate konkrete dhe të prekshme për qytetarët dhe bizneset.

“Për mua, bashkëpunimi i mirë matet me rezultate konkrete në terren. Më shumë koordinim, më pak pritje dhe kufij më të sigurt – ky duhet të jetë drejtimi ynë i përbashkët”, ka deklaruar Dauti.

Takimi synon avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit doganor ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, veçanërisht në drejtim të lehtësimit të kalimit kufitar, modernizimit të shërbimeve dhe rritjes së sigurisë.